Shpëtime të reja nga rrënojat në ditën e 7-të pas tërmetit në Türkiye / Foto: AA

Në ditën e shtatë të përpjekjeve të shpëtimit, ekipet në terren dëshmuan shpëtime të tjera mrekulli sot në rrënojat e tërmeteve të fuqishme që goditën Türkiyen jugore në fillim të kësaj jave.

Mustafa Sarigül, 35-vjeçar, u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese gjashtëkatëshe në rrethin Antakya të provincës Hatay, zonë e prekur rëndë nga dy tërmetet e forta të së hënës.

Ekipet turke dhe rumune të shpëtimit u shfaqën drejtpërdrejt në televizion teksa punuan pesë orë për të nxjerrë Sarigülin nga rrënojat ku ai mbeti i bllokuar për 146 orë.

Një vajzë e re, Eylül Kılıç, në rrethin Nizip të Gaziantepit, u shpëtua gjithashtu pasi mbijetoi për 146 orë në rrënojat e ndërtesave të shembura. Ajo po qëndronte në shtëpinë e tezes së saj kur tërmetet tronditën rajonin.

Ekipet e shpëtimit përqafojnë njëri-tjetrin pasi shpëtuan 7-vjeçarin Haci Ahmet nën rrënojat e një ndërtese 8-katëshe në Elbistan 150 orë pas tërmeteve.

Po ashtu edhe një grua u shpëtua sot nga rrënojat, që është 152 orë pas tërmeteve.

Gruaja e identifikuar si Rabia u shpëtua pas përpjekjeve intensive në provincën Adiyaman.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, u ndien nga mbi 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

Tërmetet u ndien në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.





AA