Rezidentët e evakuuar nga qytetet e goditura prej tërmetit në Türkiye do të kthehen në vendbanimet e tyre sapo të ngrihen qytezat me kontenjerë dhe të normalizohen rajonet, njoftoi Ministri i Brendshëm i Türkiyes, Suleyman Soylu.
“Kur të fillojë normalizimi i qyteteve dhe të ngrihen qytezat me kontenjerë, qytetarët tanë të evakuuar, sigurisht, do të kthehen në vendbanimet e tyre. Mbase viti i parë nuk do të jetë i njëjtë sikure para tërmetit, do të përpiqemi të sigurojmë që nevojat e tyre të përmbushen”, deklaroi Soylu të mërkurën.
Duke folur në Qendrën për Koordinim në Fatkeqësi në provincën Kahramanmaraş, aty ku ishte epiqendra e tërmeteve të javës së kaluar, Soylu shtoi se ndihma e parë prej 10.000 lirash tashmë u është dorëzuar 336.000 familjeve.
Rindërtimi i qyteteve
Soylu tha se rreth 200.000 tenda janë dërguar në zonat e tërmetit si strehim i përkohshëm, duke shtuar se 100.000 të tjera do të dërgohen së shpejti.
“Do të ndërtohen hapësira banimi brenda kontejnerëve. Është caktuar vendi për to dhe po ndërtohen infrastruktura. Është proces njëvjeçar”, tha ai.
Duke folur për nivelin e shkatërrimit, ministri theksoi se gati 1/4 e ndërtesave në Kahramanmaraş kanë pësuar dëmtime, ndërsa gjysma e shtëpive të banimit në Antakya të Hatayit ose janë shkatërruar nga tërmeti ose duhet të rrënohen si pjesë e përpjekjeve për rindërtim të qytetit.
Soylu gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se ka një shpërthim të sëmundjes akute të zorrëve në zonat e goditura nga tërmeti, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë është vigjilente ndaj çdo epidemie.
Kuzhina të qëndrueshme
Soylu tha se do të plotësohen të gjitha nevojat e qytetarëve derisa të rindërtohen qytetet.
"Ne duhet t'i bëjmë të qëndrueshme nevojat e kuzhinave të supës për gatimin dhe shërbimin ndaj kombit tonë. Ne gjithashtu duhet të bëjmë ushqim të thatë, të pastër dhe veshje krejt të reja të qëndrueshme”, tha Soylu.
Në lidhje me përpjekjet e autoriteteve turke për të ofruar siguri për komunitetet në provincat e goditura nga tërmeti, Soylu tha gjithashtu se forcat e sigurisë në zonat e tërmetit janë forcuar trefish për të siguruar koordinimin e përpjekjeve humanitare dhe për të ruajtur rendin.