Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu të hënën "solidaritetin e fuqishëm" të aleancës ushtarake me Türkiyen pas dy tërmeteve që vranë më shumë se 31.000 njerëz.
"Mendimet tona mbeten me popullin turk pas tërmeteve shkatërruese të javës së kaluar. Mijëra personel të reagimit emergjent nga aleatët e NATO-s kanë mbështetur përpjekjet e ndihmës, duke përfshirë ekipet e kërkimit dhe shpëtimit, zjarrfikësit, personelin mjekësor dhe ekspertët sizmikë", tha Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel.
Ai njoftoi se Aleanca dhe anëtarët e saj kanë rënë dakord "të vendosin objekte strehimi për të ndihmuar në akomodimin e njerëzve të zhvendosur nga tërmetet."
"Ne qëndrojmë në solidaritet të fortë me aleatin tonë Türkiyen," tha Stoltenberg.
Më shumë se 31.600 njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 80 000 të tjerë janë lënduar në dy tërmete të forta që goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt, sipas shifrave të fundit zyrtare.
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, me qendër në provincën Kahramanmaraş, kanë prekur rreth 13 milionë njerëz në 10 provinca turke, duke përfshirë Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.