Tunç dënon fjalimin e Netanyahut në Kongresin Amerikan / Photo: AA

Ministri turk i Drejtësisë, Yılmaz Tunç, ka dënuar fjalimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Kongresin Amerikan duke e quajtur atë një "turp për njerëzimin". "E dënoj fuqishëm këtë qëndrim, i cili minon haptazi përpjekjet për paqe dhe stabilitet", shkroi Tunç në rrjetet sociale.

"Pavarësisht masave të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për parandalimin e gjenocidit dhe kërkimin për arrestim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare me akuza për gjenocid, lejimi i Netanyahu-t, i cili ka vrarë mbi 40 mijë civilë të pafajshëm që nga 7 tetori, të flasë para Kongresit të SHBA është një turp për njerëzimit", tha ministri turk.

Tunç theksoi se mbështetja e udhëheqësve izraelitë, të cilët "qëndrojnë të dënuar në gjykatën e ndërgjegjes publike, nuk do t'i mbrojë ata nga përgjegjësia para ligjit ndërkombëtar".

"Si Türkiye, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë vëllezërve dhe motrave tona palestineze, tokat e të cilëve janë pushtuar prej vitesh, si dhe të mbrojmë drejtësinë dhe paqen në mbarë botën", shtoi ai.

Netanyahu mbërriti në Washington të hënën vonë, një ditë pasi presidenti Joe Biden i dha fund fushatës së tij për rizgjedhje presidenciale dhe miratoi zv.presidenten Kamala Harris për ta zëvendësuar atë si kandidate presidenciale demokrate.

Derisa dhjetëra ligjvënës demokratë refuzuan të marrin pjesë në fjalimin e Netanyahu-t në një seancë të përbashkët të Kongresit, shumë njerëz u mblodhën për të protestuar kundër luftës së vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë të paktën 39.100 palestinezë, si dhe kërkuan një armëpushim në enklavën e rrethuar.

TRT Balkan / agjencitë