Türkiye: 1.362 fëmijë të pashoqëruar në rajonet e prekura nga tërmeti.     /Foto: AA

Ministrja e Çështjeve Familjare dhe e Shërbimeve Sociale e Republikës së Türkiyes, Derja Yanik, tha se institucionet kompetente kanë regjistruar 1.362 fëmijë të pashoqëruar në rajonet e prekura nga tërmetet shkatërruese dhe se 369 prej tyre janë identifikuar dhe u janë dorëzuar familjeve të tyre.

Dy tërmete shkatërruese me magnitudë 7,7 dhe 7,6 të shkallës Rihter më 6 shkurt goditën pjesët jugore të Türkiyes me epiqendër në Kahramanmaraş dhe një numër i madh ekipesh shpëtimi po punojnë ende me zell për të kërkuar dhe shpëtuar njerëzit e bllokuar në rrënojat e ndërtesave.

Ministrja Yanik vizitoi 15 foshnjat, viktima të tërmetit, të cilët u sollën në Ankara me avion të Presidencës turke për mjekim në spitalin e qytetit “Etlik”.

Pas vizitës, ajo u tha gazetarëve se institucionet kompetente kujdesen për të gjithë të prekurit nga tërmeti, veçanërisht për fëmijët si kategori e ndjeshme pas fatkeqësisë që goditi vendin.

“Ne kemi regjistruar në sistem 1.362 fëmijë të pashoqëruar. Nga këta, 369 fëmijë u identifikuan dhe u bashkuan me familjet e tyre. Kjo punë është e rëndësishme për ne. Shpresojmë që në periudhën e ardhshme të gjithë këta fëmijë t'ua dorëzojmë familjeve të tyre. Numri i fëmijëve që po trajtohen në spitale është 792. Numri i fëmijëve që kemi pranuar në institucionet e Ministrisë sonë është 201”, tha Yanik.

Më tutje, Yanik theksoi gjithashtu se të gjithë fëmijët nën kujdesin e institucioneve shtetërore janë në duar të sigurta.

TRT Balkan / agjencitë