Türkiye vazhdon mobilizimin e plotë në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë në 10 provincat e prekura nga tërmetet e 6 shkurtit. Siç njofton Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave, AFAD, 249.089 personel janë në terren aktualisht, në ditën e 9-të të tërmetit.
Prej tyre, 35.249 janë punonjës kërkim-shpëtimi nga Türkiye dhe 9.456 punonjës kërkim-shpëtimi të huaj.
Përveç në gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja, personel nga fusha të ndryshme janë angazhuar edhe për kujdesin ndaj të lënduarve dhe të mbijetuarve nga tërmeti, të cilën kanë nevojë për ushqim, strehim, ngrohje dhe veshmbathje.
Janë ngritur gjithsej 227.762 tenda në zonat e prekura, ndërsa janë dërguar 2.607.390 batanije deri tani.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan njoftoi sot se ekipet e angazhuara në terren kanë shpëtuar të gjallë mbi 8.000 njerëz nga rrënojat në jug të vendit.
Dy tërmete me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë respektivisht goditën Türkiyen juglindore më 6 shkurt, duke shkaktuar dhjetëra mijëra viktima në Türkiye dhe Siri.