Në një operacion të madh të forcave të sigurisë në Türkiye, janë arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për anëtarësim në organizatën terroriste DAESh, të cilët akuzohen për planifikimin e sulmeve terroriste ndaj kishave dhe sinagogave në atë vend.
Aksioni u krye në nëntë provinca turke, përfshirë Istanbulin, i cili ishte në qendër të hetimeve.
Një burim i paidentifikuar i sigurisë tha se janë ndaluar 32 të dyshuar dhe janë arrestuar 25. Dy të dyshuarit janë caktuar për deportim, ndërsa njërit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak dhe katër janë liruar me masa kontrolli gjyqësor.
Operacioni është rezultat i bashkëpunimit midis Shërbimit Informativ Turk (MIT) dhe Departamentit të Policisë së Istanbulit për Luftën kundër Terrorizmit.
Ekipet e policisë hetuan dhe zbuluan se të dyshuarit ishin të lidhur me të ashtuquajturin regjiment Salman al-Faris të DAESh-it dhe se ata kishin kryer zbulim dhe fotografim për sulme të mundshme në vendet e adhurimit hebre dhe të krishterë në Istanbul.
Në vitin 2013, Türkiye u bë një nga vendet e para që e shpalli DAESh-in një organizatë terroriste.
Türkiye ka qenë vazhdimisht objektiv i sulmeve terroriste të DAESh-it, në të cilat janë vrarë më shumë se 300 njerëz. Si përgjigje, Türkiye nisi operacione antiterroriste brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme.