Të paktën 38 të dyshuar janë arrestuar në operacionin “Kapja-3” kundër organizatës terroriste FETO, i cili u krye në 12 provinca turke, konfirmoi ministri i Brendshëm i Türkiyes, Ali Yerlikaya.
“Ne nuk do të heqim dorë nga ndjekja e tradhtarëve të FETO-s që po përpiqen të bëjnë një grusht shteti kundër vullnetit tonë kombëtar”, tha Yerlikaya në profilin e tij zyrtar.
Yerlikaya vuri në dukje se operacioni filloi në pesë provinca (Konya, Istanbul, Ankara, Kutahya dhe Kahramanmaras) kundër të dyshuarve që u zbulua se vepronin brenda të ashtuquajturës "strukturë sekrete ushtarake" të organizatës dhe se shtatë persona u arrestuan.
Gjithashtu, 17 të dyshuar u arrestuan në operacionet e kryera në gjashtë provinca (Çanakkale, Hatay, Istanbul, Izmir, Ankara dhe Konya) kundër anëtarëve të dyshuar të FETO-s brenda "strukturave aktuale" dhe në "strukturat studentore" (Ordu, Tekirdag, Istanbul) 14 persona të tjerë.
Gjatë kontrollit u sekuestruan sasi të konsiderueshme dokumentesh dhe materiali digjital.
Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për tentativën e përgjakshme të grushtit të shtetit në Türkiye natën e 15 korrikut 2016 dhe është një organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ekstradimin e të cilit Türkiye e ka kërkuar zyrtarisht nga ShBA-ja.
Për vite me radhë, anëtarët e asaj organizate terroriste avancuan në shërbim duke manipuluar provimet, duke u infiltruar kështu në institucionet e shtetit. Më pas, fillimisht në dhjetor 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin e Türkiyes u përpoqën të ndjekin penalisht zyrtarë të shumtë të rangut të lartë në një gjykim të montuar për korrupsion të dyshuar.
Disa vite më vonë, pasoi një tentativë e përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, pra një përpjekje për grusht shteti të kryer nga oficerët që FETO kishte infiltruar në ushtrinë turke.
Hetimi për organizatën terroriste FETO tregoi se është një rrjet global që përbën rrezik jo vetëm për Türkiyen, por edhe për çdo vend tjetër ku ajo është aktive. Këtë e kanë theksuar disa herë zyrtarët turq. Gjatë tentativës për grusht shteti në Türkiye, 253 njerëz vdiqën dhe më shumë se 2.730 njerëz u plagosën.