Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiye-s në një deklaratë tha se e dënojnë me termat më të fortë këtë sulm     Foto:AA

Türkiye ka dënuar sulmin ndaj Konsullatës së Përgjithshme të saj në Mosul të Irakut që ndodhi sot herët.

Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiye-s në një deklaratë tha se e dënojnë me termat më të fortë këtë sulm në të cilin nuk u raportua për viktima. Nga atje shtojnë se presin që “përgjegjësit sa më parë të sillen para drejtësisë”.

Duke u bërë thirrje autoriteteve irakiane të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të mbrojtur misionet diplomatike dhe konsullore, Ankaraja këtë sulm e quajti një ngjarje të rëndë që u krye gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur me kërkesë të autoriteteve irakiane, dhe në një kohë kur Türkiye u akuzua dhe u shënjestrua në mënyrë të padrejtë”.

“Me këtë rast, ne edhe një herë përsërisim thirrjen tonë për autoritetet irakiane që të fokusohen në luftën kundër terrorizmit dhe t’i japin fund pranisë terroriste në territorin e tyre, që përbën kërcënim për vendet fqinje dhe misionet diplomatike”, theksohet në njoftimin e ministrisë turke, duke iu referuar organizatës terroriste PKK.

Qyteti Mosul ka një popullsi të madhe etnike turkmene

Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së kishte të bëjë me një sulm fatal të javës së kaluar në Duhok, në veri të Irakut, për të cilin Türkiye thotë se është vepër e grupit terrorist PKK, i cili shpesh fshihet në Irakun verior, përtej kufirit, për të komplotuar sulme.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, shumë civilë dhe forca të sigurisë humbën jetën ose u plagosën në sulmet terroriste të kryera nga PKK-ja në Irak.

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiye-s, PKK-ja, e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

TRT Balkan / agjencitë