Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Türkiyes dënoi ashpër atentatin në të cilin u vra në Teheran lideri i krahut politik të lëvizjes palestineze Hamas, Ismail Haniyeh.
“Ne dënojmë ashpër masakrën në të cilën u vra kreu i krahut politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, si rezultat i një atentati të poshtër në Teheran”, tha Ministria e Punëve të Jashtme turke.
Ministria dërgoi ngushëllimi për popullin e Palestinës, i cili për të jetuar në tokën e tij, në paqe dhe në shtetin e tij, tashmë ka dhënë qindra mijëra dëshmorë, si Haniyeh.
Në njoftim u theksua edhe një herë se kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu dhe administrata e tij nuk kanë ndërmend të arrijnë paqen.
"Ky sulm synon të përhapë luftën nga Gaza në rajonin më të gjerë. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk bën asgjë për të ndaluar Izraelin, rajoni do të përballet me konflikte shumë më të mëdha. Türkiye do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e drejta të popullit të Palestinës." thuhet në njoftim.
Lëvizja palestineze Hamas konfirmoi se lideri i saj Ismail Haniyeh u vra mëngjesin e sotëm në një sulm ajror në Teheran.
Hamasi tha se Izraeli kreu një sulm që vrau udhëheqësin politik të lëvizjes palestineze, Haniyeh.
Në komunikatën e Hamasit, thuhet se Haniyeh ishte në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të sapozgjedhur iranian, Masoud Pezeshkian.
Televizioni shtetëror iranian raportoi më parë se lideri i Hamasit, Haniyeh u vra në një sulm terrorist në rezidencën e tij në kryeqytetin iranian.
Haniyeh u zgjodh kryetar i Byrosë Politike të Hamasit më 6 maj 2017, duke zëvendësuar Khalid Meshaal.