Türkiye dënoi të martën një vendim të parlamentit izraelit, Knesset, për të klasifikuar agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) si organizatë terroriste, duke e konsideruar atë "të papranueshëm".
“Është e papranueshme që Izraeli, i cili ka shënjestruar civilët e strehuar në shkollat e UNRWA-s në Gaza dhe ka vrarë afro 200 punonjës të OKB-së në nëntë muajt e fundit, po përpiqet të etiketojë UNRWA-n si një organizatë terroriste”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë me shkrim.
“Përpjekjet e Parlamentit izraelit për ta cilësuar UNRWA-n si organizatë terroriste janë një fazë e re e sulmeve izraelite, për të shkatërruar popullin palestinez dhe identitetin palestinez”, thuhet në deklaratë.
"Themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1949, UNRWA ofron shërbime jetike për miliona refugjatë palestinezë dhe simbolizon të drejtën e palestinezëve për t'u kthyer në tokën e tyre," theksohet në deklaratë, duke shtuar: "Duke diskredituar UNRWA-n, Izraeli kërkon të privojë refugjatët palestinezë nga të drejtat e tyre më elementare”. "Türkiye do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm UNRWA-n", thuhet në deklaratë, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar "të ngrejë zërin kundër sulmeve ndaj UNRWA-s dhe të mbështesë agjencinë".
Knesset, të hënën miratoi tri projektligje për mbylljen e UNRWA-s, dhe e konsideron atë si organizatë "terroriste". Projektligjet do të kërkojnë edhe dy lexime të tjera për të hyrë në fuqi.
Izraeli ka lobuar vazhdimisht që UNRWA të mbyllet, pasi është e vetmja agjenci e OKB-së që ka një mandat specifik për t'u kujdesur për nevojat themelore të refugjatëve palestinezë. UNRWA u krijua me një rezolutë të OKB-së në vitin 1949 dhe është e mandatuar të ofrojë ndihmë dhe mbrojtje për refugjatët në pesë fushat e saj të veprimit: Jordani, Siri, Liban, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.