Türkiye denoncoi të premten sulmet ajrore izraelite në Rripin e rrethuar të Gazës, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të “sulmeve të paligjshme dhe imorale”.
“Ne dënojmë sulmet e paligjshme dhe imorale të Izraelit në Gaza. Qeveria izraelite duhet t'i japë fund menjëherë politikës së dhunës që ka ndjekur qëllimisht prej ditësh”, tha zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin, në Twitter.
Ushtria izraelite nisi sulme ajrore në Gaza dhe Libanin jugor në orët e para të së premtes.
Përshkallëzimi vjen pasi forcat izraelite sulmuan Sallën e Lutjeve Al-Qibli në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe larguan me forcë besimtarët palestinezë për dy netë me radhë.
“Ne qëndrojmë me popullin palestinez. Ne do të vazhdojmë të mbështesim vëllezërit dhe motrat tona palestineze. Ky persekutim do të përfundojë me siguri”, shtoi Kalin.
Mustafa Şentop, kryetari i parlamentit turk, dënoi gjithashtu "sulmin e paligjshëm dhe çnjerëzor të Izraelit".
“Si në çdo Ramazan, avionët luftarakë izraelitë po bombardojnë Gazën... Me besimin tonë të patundur se njerëzimi do ta mposhtë shtypjen; fituesi do të jetë drejtësia dhe populli i nderuar palestinez”, shkroi Şentop në Twitter.
Ndryshe, gjatë ditëve të kaluara në orët e hershme të mëngjesit forcat izraelite disa herë dhunshëm janë futur në xhaminë Al-Aksa dhe kanë rrahur besimtarët.