Türkiye ka filluar dërgimin e ndihmave humanitare në Bangladesh pasi vendi i Azisë Jugore po përballet me përmbytjet e rënda që kanë prekur më shumë se 5 milionë njerëz, njoftoi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.
“Ne po i zgjasim dorën e ndihmës si Türkiye mikut dhe vëllait tonë Bangladesh, i cili po kalon kohë të vështira për shkak të fatkeqësisë së përmbytjeve”, tha Erdoğan në X të mërkurën.
Erdoğan tha se përpjekjet për të shpërndarë gjithsej 16.750 paketa ndihme kishin filluar, duke u fokusuar në rajonet më të prekura ku transporti rrugor është ndërprerë, nën koordinimin e Presidencës së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të vendit (AFAD).
“Me aktivitetet tona ndihmuese në rajon, ne nuk i lëmë vetëm vëllezërit dhe motrat tona nga Bangladeshi, të cilët po përballen me një shkatërrim të madh dhe përpiqemi t’u shërojmë plagët”, tha Erdoğan, duke theksuar solidaritetin mes dy kombeve.
Bashkëpunimi në përpjekjet e ndihmës
Ai gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për jetët e humbura nga fatkeqësia dhe uroi shërim të shpejtë për të lënduarit dhe të prekurit.
Presidenti turk theksoi gjithashtu bashkëpunimin në përpjekjet e ndihmës, duke nënvizuar përfshirjen e AFAD-it, Agjencisë Turke të Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) dhe organizatave të ndryshme joqeveritare turke.
Përmbytjet e fundit kanë marrë të paktën 23 jetë në Bangladeshin lindor, duke detyruar mijëra të kërkojnë strehim, sipas raporteve të mediave lokale.
Sipas autoriteteve, përmbytjet kanë prekur rreth 5,17 milionë njerëz.