Türkiye dhe Egjipti ngritën të martën marrëdhëniet e tyre diplomatike në nivelin e ambasadave.
Türkiye emëroi Salih Mutlu Sen si ambasador të ri në Kajro, ndërsa Egjipti emëroi Amr El Hamamy si ambasador në Ankara, tha Ministria e Jashtme turke në një komunikatë.
“Ngritja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve është zbatuar në përputhje me vendimin e marrë nga presidentët e të dyja vendeve”, thuhet në komunikatë.
Sipas Ministrisë së Jashtme turke, ky hap synon të arrijë normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve “dhe pasqyron vullnetin e ndërsjellë për të zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe në përputhje me interesat e popullit turk dhe egjiptian”.
Marrëdhëniet diplomatike midis Türkiyes dhe Egjiptit kanë qenë në nivelin e të ngarkuarve me punë që nga viti 2013.