Türkiye dhe Egjipti pajtohen për t'i përmirësuar marrëdhëniet.  / Foto: AA

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu ka mirëpritur në Ankara homologun e tij egjiptian Sameh Shoukry.

Sipas Çavuşoglut, Türkiye dhe Egjipti janë dakord për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe ngritjen e marrëdhënieve diplomatike në nivelin më të lartë.

“Jemi duke ndërmarrë hapa konkretë për të ngritur përfaqësimin në nivelin e ambasadave. Në periudhën e ardhshme, ne do t’ju informojmë me një deklaratë të përbashkët”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se avancimi i marrëdhënieve me Kajron do të kontribuojë gjithashtu në rajon.

Shoukry tha se bisedimet e tij me Çavuşoğlun u përqendruan në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në sferat politike, ekonomike dhe kulturore.

“Ne ramë dakord të vazhdojmë këtë ritëm të shpejtë kontakti dhe komunikimi që na sjell dobi”, tha ai.

Ai tha se të dyja palët ranë dakord për një “kornizë specifike kohore” për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike, duke shtuar se do të shpallet në kohën e duhur një samit në nivel presidencial që do të shënojë kulmin e rrugëtimit që kanë nisur.

Sipas tij, përmirësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Türkiyen është gjithashtu i rëndësishëm për rajonin.

Lidhur me situatën në Libi, ai tha se Türkiye dhe Egjipti kanë një dëshirë të përbashkët për të punuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme që sjellin një qeveri që përfaqëson vullnetin e popullit libian.

Për bashkëpunimin në sektorin e energjisë, Shoukry tha se Türkiye është importuesi më i madh i energjisë nga Egjipti, duke shtuar se Kajro dëshiron të rrisë bashkëpunimin në këtë fushë.

Në lidhje me çështjen palestineze, Shoukry lavdëroi Türkiyen për rolin e saj aktiv në “luftën e drejtë” të tyre kundër “agresionit izraelit”.

Ai përsëriti mbështetjen e Egjiptit për një zgjidhje me dy shtete për çështjen Palestinë-Izrael.

Marrëdhëniet diplomatike midis Türkiyes dhe Egjiptit kanë qenë në nivelin e të ngarkuarve me punë që nga viti 2013.

Gjatë vizitës së tij të 18 marsit në Kajro, e para nga një ministër i jashtëm turk në 11 vjet, Çavuşoğlu tha se të dy vendet po kërkonin t’i rrisnin marrëdhëniet diplomatike në nivelin më të lartë sa më shpejt të jetë e mundur.

TRT Balkan / agjencitë