Iraku i është përgjigjur pozitivisht propozimit të Türkiyes për një qendër të përbashkët operacionale për të punuar së bashku për të luftuar organizatën terroriste PKK, thanë sot burime të mbrojtjes në Ankara.
Duke cituar vendimin e fundit të qeverisë irakiane për të përcaktuar PKK-në si organizatë terroriste, burime nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare thanë se Ankaraja dhe Bagdadi vazhdojnë të punojnë së bashku në fushën e sigurisë kufitare dhe kundër terrorizmit.
"Pala irakiane e sheh gjithashtu grupin terrorist PKK si një kërcënim. Ata janë të prirur pozitivisht ndaj propozimeve tona për një qendër të përbashkët operacionesh dhe përpjekje të tjera bashkëpunuese për të luftuar terrorizmin", thanë burimet.
Türkiye dhe Iraku gjatë muajve të fundit kanë zhvilluar vizita dhe diskutime të nivelit të lartë për çështje dypalëshe dhe rajonale.
"Diskutimet midis dy palëve kanë përfshirë një spektër të gjerë temash, duke përfshirë çështjet e energjisë dhe tregtisë", tha një burim turk i mbrojtjes.
Burimet theksuan gjithashtu rëndësinë e operacionit antiterrorist të Türkiyes në Irak, duke shtuar se operacioni aktual do të arrijë qëllimin shumë shpejt.
Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në veri të Irakut për të komplotuar sulme ndërkufitare ndaj Türkiyes.
Në lidhje me sulmet e fundit terroriste të PKK-së, burimet thanë: "Këto sulme nga organizata terroriste janë grahmat e saj të fundit. Kjo nuk do t’i shpëtojë ata nga fundi i afërt".
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan është zotuar së fundmi se do ta shndërrojë problemin e terrorizmit kufitar të Türkiyes në një gjë të së kaluarës deri në këtë verë.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja - e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja, Britania dhe BE-ja - ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.