Türkiye dhe ShBA-së diskutojnë çështjet e NATO-s dhe të sigurisë rajonale / Foto: AA

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Türkiyes, Hulusi Akar, dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd James Austin, zhvilluan bisedë telefonike në të cilën diskutuan në lidhje me NATO-n dhe marrëveshjen e drithit të Detit të Zi.

Akar dhe Austin diskutuan gjithashtu pranimin e Finlandës në NATO, çështjet dypalëshe dhe rajonale të mbrojtjes dhe sigurisë, njoftoi në një kumtesë Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare.

Ata theksuan rëndësinë e zgjerimit të nismës së drithit të Detit të Zi.

“U theksua rëndësia e përfundimit të shpejtë dhe pozitiv të projektit të blerjes dhe modernizimit të avionëve F-16 nga vendi ynë”, thuhet në kumtesë.

Akar falënderoi gjithashtu homologun amerikan për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar nga ShBA-ja pas tërmeteve masive që tronditën rajonet jugore të Türkiyes në shkurt.

Ministri turk i mbrojtjes vuri në dukje gjithashtu se Ankaraja mbështet “politikën e dyerve të hapura të NATO-s”, duke theksuar se “anëtarësimi i Finlandës e tregon këtë edhe një herë dhe shpresohet që Suedia të përmbushë angazhimet e saj sa më shpejt të jetë e mundur”.

Nga ana e tij, Austin shprehu gatishmërinë e ShBA-së për të ofruar të gjitha llojet e mbështetjes për Türkiyen “për të shëruar plagët e tërmetit”, thuhet në kumtesë.

AA