Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Türkiyes dënoi ashpër sulmet ndaj librit të shenjtë mysliman, Kuranit, duke i quajtur ato “manifestime të racizmit antiislam”.
Në një komunikatë pas një takimi triorësh të Këshillit nën kryesimin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan në kryeqytetin Ankara, thuhet se në këtë mbledhje u dënuan ashpër sulmet e tmerrshme, të cilat janë një manifestim i racizmit antiislam dhe shënjestrojnë vlerat e shenjta të miliarda njerëzve.
Deklarata erdhi pasi Edwin Wagensveld, një politikan holandez i ekstremit të djathtë dhe udhëheqës i grupit islamofobik Pegida, të dielën grisi faqet nga një kopje e Kuranit në Hagë, ndërsa më pas dogji faqet e grisura.
Këtij veprimi i parapriu një protestë përpara ambasadës turke në Stokholm të shtunën, ku po ashtu u dogj e një kopje të Kuranit nën mbrojtjen e policisë dhe lejen e qeverisë suedeze.
Ata që inkurajojnë dhe mbrojnë veprimet që “minojnë vlerat si liria e fesë, ndërgjegjes dhe mendimit janë partnerë në krimin e urrejtjes”, thuhet gjithashtu në komunikatë.
Të hënën, ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom përsëriti se qeveria e tij nuk e mbështet djegien e librave të shenjtë, por gjithashtu pretendoi se liria e shprehjes “e bën atë të ligjshme nga këndvështrimi suedez”.
Duke theksuar vendosmërinë e Türkiyes për të mbështetur politikën e dyerve të hapura të NATO-s, Këshilli i Sigurisë Kombëtare turke tha: “Vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në NATO duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe frymën e Aleancës”.
Është e domosdoshme që Suedia dhe Finlanda të përmbushin detyrimet sipas memorandumit trepalësh të qershorit 2022 në luftën kundër grupeve terroriste me hapa konkretë, theksohet më tej.
Duke kritikuar Greqinë për veprimet e saj provokuese dhe retorikën dhe përpjekjet për armatim, Këshilli vuri në dukje gjithashtu se Türkiye nuk do të lejojë “asnjë fakt të kryer” që synon sigurinë dhe interesat e saj kombëtare.
Suedia dhe Finlanda në muajin maj të vitit të kaluar aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n, një vendim i shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, që filloi më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Por, Türkiye shprehu kundërshtime, duke akuzuar të dyja vendet se tolerojnë, madje edhe mbështesin grupet terroriste, përfshirë PKK-në dhe FETO-n.
Në qershor, Türkiye dhe dy vendet nordike nënshkruan një memorandum në një samit të NATO-s për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Ankarasë, duke i hapur rrugën anëtarësimit të tyre në Aleancë.
25 Jan 2023
Türkiye: Djegia e Kuranit shënjestron vlerat e shenjta të miliarda njerëzve
Ditëve të kaluara në Stokholm dhe Hagë haptazi është shprehur urrejtja ndaj librit të shenjtë mysliman, Kuranit.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Fidan: Türkiye e kënaqur me bisedimet për paqe Azerbajxhan-Armeni
"Ne mirëpresim përparimin pozitiv të marrëveshjeve të përhershme të paqes dhe përcaktimit të kufijve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë", tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov në Baku.
Artikujt në këtë kategori
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.