Türkiye e gatshme të ofrojë ndihmë mjekësore për popullatën në Gaza.     /Foto: AA

Ministri i shëndetësisë i Türkiyes, Fahrettin Koca, tha se vendi i tij është i gatshëm të dërgojë një anije-spital ose të krijojë spitale fushore për t'i shërbyer popullit të Gazës pas sulmit ajror izraelit ndaj Spitalit Baptist Al-Ahli.

Ministri Koca nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha se kishte biseduar me përfaqësues ndërkombëtarë dhe zyrtarë të lartë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) për të adresuar sulmin e fundit të Izraelit ndaj spitalit në Gaza, duke theksuar se është "e papranueshme që objektet që i shërbejnë shëndetit të njeriut të sulmohen, në çfarëdo rrethanë dhe për çfarëdo arsye".

Ai u shpreh se Türkiye është "gati të dërgojë një anije-spital në rajon ose të krijojë spitale fushore në Gaza ose në pika afër Pikës Kufitare Rafah (në Egjipt), për të ofruar shërbime shëndetësore për vëllezërit dhe motrat tona palestineze".

"Gjatë bisedës telefonike me Drejtorin Rajonal të OBSh-së për Evropën, dr. Hans Kluge, kam deklaruar se është urgjente dhe thelbësore të mbështetet rajoni në drejtim të shërbimeve shëndetësore. Ne jemi të gatshëm të veprojmë së bashku me OBSh-në nëse ajo vendos të kryejë këto punime", tha ai.

Duke theksuar se OBSh-ja "ka një përgjegjësi historike" në këtë drejtim, Koca tha se idetë dhe sugjerimet e tij u mirëpritën nga drejtori i OBSh-së për Mesdheun Lindor, dr. Ahmed Al-Mandhari dhe në konsultim me Drejtorin e Përgjithshëm të OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, "ne kemi vendosur të fillojë menjëherë procesi i bashkëpunimit midis vendit tim dhe OBSh-së".

Koca tha se Türkiye është e përgatitur të ndihmojë foshnjat, fëmijët, të moshuarit dhe të pafajshmit në rajon "pavarësisht të gjitha llojeve të vështirësive diplomatike".

Që nga java e kaluar, kur Izraeli vendosi një "rrethim të plotë" në Gaza, Tel Avivi ka refuzuar ofertat e ndihmës si nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare, ashtu edhe nga qeveritë e interesuara, duke lënë miliona palestinezë pa furnizime me ujë, ushqim ose energji elektrike dhe me furnizime mjekësore në mbarim e sipër.

Kluge, nga ana e tij, u përgjigj në X: "Falenderim të sinqertë për Fahrettin Kocan dhe Ministrinë e Shëndetësisë së Türkiyes për partneritetin e tyre në këtë kohë vendimtare. OBSh-ja dhe partnerët humanitarë po punojnë për të dërguar furnizimet e nevojshme mjekësore dhe furnizimet e tjera për objektet dhe pacientët në nevojë, për të cilat qasja e sigurt është jetike".

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Ashraf al-Qudra për Anadolu tha se më shumë se 500 njerëz u vranë mbrëmë në sulmin ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza.

Pamjet në mediat sociale treguan kufoma të shpërndara gjithandej nëpër spital. Sipas gazetarit të agjencisë Anadolu, mijëra palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, ndodheshin në spital kur ndërtesa u bombardua.

TRT Balkan / agjencitë