Ministria e Jashtme e Türkiyes njoftoi se ndien shqetësim nga zhvillimet e përshkallëzuara me sulmet e Iranit kundrejt territoreve të Irakut dhe Pakistanit.
Ministria bëri një deklaratë me shkrim lidhur me zhvillimet e fundit në rajon.
"Ne jemi të shqetësuar për zhvillimet, të cilat filluan me sulmet e Iranit ndaj objektivave të caktuara në Irak, që më pas u zgjeruan me sulmet e Iranit ndaj disa objektivave brenda Pakistanit dje në mëngjes dhe të cilat u përshkallëzuan këtë mëngjes me sulmet e Pakistanit ndaj objektivave brenda Iranit", thuhet në komunikatë.
Besohet se problemet duhet të zgjidhen me qasje miqësore dhe vëllazërore në bazë të respektimit reciprok për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve në kuadrin e parimeve themelore të ligjit ndërkombëtar, kryesisht të Kartës së Kombeve të Bashkuara (OKB), thuhet në deklaratën ku theksohet se urohet që të gjitha çështjet të zgjidhen me rrugë dialogu dhe bashkëpunimi pa kërcënuar më shumë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Ndër të tjerash, në komunikatë thuhet se "U bëjmë thirrje miqve dhe vëllezërve tanë, Iranit, Irakut dhe Pakistanit që të sigurojnë paqen me vetëpërmbajtje dhe sens të përbashkët.
Republika e Türkiyes është e gatshme të ofrojë kontribut dhe të ndajë përvojat e saj me vendet e rajonit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me rrugë paqësore".