Türkiye e cilëson si "plotësisht larg realitetit në terren" deklaratën e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndërtimin e një rruge në Qipron Veriore.
"Në vend që të japë ndonjë kontribut pozitiv për këtë çështje, deklarata e bën procesin më të vështirë. Formulimi i përdorur në lidhje me ngjarjet e 18 gushtit shtrembëron faktet dhe pasqyron në mënyrë të gabuar atë që ndodhi", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme.
Vërejtjet e ministrisë erdhën një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së lëshoi një deklaratë duke shprehur shqetësimin për nisjen e "punës ndërtimore të paautorizuar nga pala turke qipriote brenda zonës mbrojtëse të OKB-së pranë fshatit Pyla/Pile."
Türkiye mbështet plotësisht deklaratën e bërë nga Ministria e Jashtme e Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV) për këtë çështje.
“Ndërtimi i rrugës Pile-Yiğitler është një projekt humanitar që synon të lehtësojë qasjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve të RTQV-së në fshatin Pile, në atdheun e tyre. Njoftimi në lidhje me punën e rrugës është bërë shumë më përpara. Në këtë rast, ndërhyrja fizike e ushtarëve të Forcës Paqeruajtëse të OKB-së në Qipro (UNFICYP) në punën e ndërtimit të rrugës ishte shkaku i tensionit", thuhet në deklaratë.
UNFICYP-ja javën e kaluar ndërhyri në punën e ndërtimit të rrugëve për të lidhur fshatin qipriot turk Pile në zonën tampon me pjesën tjetër të RTQV-së.
Zgjerimi i rrugës është ka rëndësi strategjike për banorët pasi do t'u japë atyre më shumë mundësi për të arritur në Pile, ku turqit dhe grekët qipriotë jetojnë së bashku.
Administrata greke qipriote dhe OKB-ja janë kundër projektit.
Kur të përfundojë puna e ndërtimit dhe riparimit të rrugës prej 11,6 kilometrash, banorët e Piles do të mund të udhëtojnë në distanca më të shkurtra dhe nuk do të duhet të kalojnë nëpër bazat britanike kur të kalojnë në anën turke.
Projekti parashikon që 7,5 km e parë e rrugës do të kalojë nga Yiğitler dhe pjesa tjetër prej 4,1 km do të kalojë përmes Piles.
Ministria tha se forcat paqeruajtëse "në mënyrë të padrejtë" u përpoqën të parandalonin projektin e rrugës, duke rrezikuar personelin e saj dhe të gjithë punëtorët e përfshirë në ndërtimin e rrugës.
“Na vjen keq që katër pjesëtarë të UNFICYP-së dhe tetë qytetarë të RTQV-së u plagosën si rezultat i sjelljes së papërgjegjshme të UNFICYP-së dhe atyre u urojmë shërim të shpejtë”, thuhet më tej.
Forca paqeruajtëse u dislokua në Qipro në vitin 1964, menjëherë pasi grekët qipriotë rrëmbyen shtetin e përbashkët në vitin 1963, kur lindi edhe çështja e Qipros.
“Supozojmë se thirrja në deklaratën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për 'heqjen e të gjitha ndërtimeve pa leje' i drejtohet edhe palës greke qipriote, e cila ndër vite ka ndërtuar rrugën Larnaka-Dhikelia-Ayia Napa, e cila kalon nëpërmjet pronave të qipriotëve turq e vendosur në zonën tampon dhe fshati Pile, rruga Pile-Oroklini e cila kalon po ashtu nga zona tampon, godina e universitetit në Pile dhe shumë ndërtime të tjera në kundërshtim me zonën tampon”, tha Ministria e Jashtme turke.
Në deklaratë i bëhet thirrje UNFICYP-së që të trajtojë të dyja palët në ishull në mënyrë të barabartë dhe të veprojë në mënyrë të paanshme.
"Fatkeqësisht, zhvillime të tilla si incidenti i 18 gushtit tregojnë se UNFICYP-ja po humb besimin e qipriotëve turq dhe po bëhet pjesë e problemit në Qipro. Është detyrë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të parandalojë këtë prirje dhe të sigurojë që UNFICYP-ja të shfaqë paanshmërinë e pritur nga misionet paqeruajtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.