Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes njoftoi se zhvillimet e fundit në lidhje me sulmin e supozuar të Izraelit në territorin iranian kanë rrezik të shndërrohen në një konflikt të përhershëm dhe u bëri thirrje palëve të shmangin hapat që mund të çojnë në një konflikt më të madh.
"Ekziston rreziku që tensioni që filloi me sulmin e Izraelit ndaj ambasadës iraniane në Damask, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, mund të kthehet në një konflikt të përhershëm pas zhvillimeve të fundit. Ne jemi duke i monitoruar nga afër zhvillimet. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin hapat që mund të çojnë në një konflikt më të madh”, shkruan në komunikatën e MPJ-së së Türkiyes.
U theksua se "prioriteti i bashkësisë ndërkombëtare duhet të jetë ndalimi i masakrës në Gaza dhe krijimi i një shteti palestinez dhe sigurimi i paqes së përhershme në rajonin tonë".
Televizioni shtetëror iranian raportoi se shpërthimet u dëgjuan në verilindje të provincës Isfahan, e cila është shtëpia e një baze të forcave ajrore iraniane. Mediat amerikane, duke cituar zyrtarë amerikanë, raportuan se Izraeli kishte nisur një sulm ndaj Iranit.
Në lajmet e agjencisë siriane të lajmeve SANA, bazuar në një burim ushtarak, pretendohet se Izraeli ka kryer një sulm me raketa në disa pika në kufijtë jugorë të vendit ku ndodhen sistemet e mbrojtjes ajrore të ushtrisë së regjimit të Bashar Asadit.