Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes deklaroi se veprimet e Izraelit për përdorimin e urisë dhe sëmundjeve infektive si armë kundër popullit palestinez në Gaza nuk duhet të kalojnë pa vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar.
Në një deklaratë me shkrim të MPJ-së turke lidhur me "sulmet e Izraelit në Gaza" thuhet se zhvillimet e fundit në rajon nuk duhet të çojnë në "injorimin e gjenocidit të kryer nga Izraeli në Gaza nga komuniteti ndërkombëtar".
Deklarata vë në dukje se sulmet izraelite ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë përshkallëzuar ditët e fundit, ku qindra palestinezë të pafajshëm kanë humbur jetën në bombardimet ndaj shkollave dhe kampeve të refugjatëve.
"Përdorimi i urisë dhe sëmundjeve infektive nga Izraeli si armë kundër popullit palestinez duke parandaluar plotësimin e nevojave themelore njerëzore në Gaza nuk duhet të kalojë pa u vënë re nga komuniteti ndërkombëtar", thuhet në deklaratë.
Ministria e Punëve të Jashtme turke bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit për të arritur sa më shpejt një marrëveshje armëpushimi dhe për të siguruar që ndihma humanitare të arrijë në rajon pa ndërprerje.
"Ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat, ligjin ndërkombëtar dhe dinjitetin njerëzor të popullit palestinez," përfundon deklarata.