Türkiye kufizon eksportin e disa produkteve në Izrael        / Foto: AA

Türkiye e ka kufizuar eksportin e produkteve të caktuara në Izrael derisa të zbatojë një armëpushim dhe të lejojë "fluksin e mjaftueshëm dhe të pandërprerë" të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, tha të martën Ministria e Tregtisë.

“Izraeli vazhdon të shkelë në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar dhe injoron thirrjet e shumta të komunitetit ndërkombëtar për armëpushim dhe ndihmë të pandërprerë humanitare”, tha ministria në një komunikatë.

Sipas tyre rezolutat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Asambleja e Përgjithshme dhe Këshilli i të Drejtave të Njeriut, përveç vendimeve të përkohshme të urdhrit të datës 26 janar dhe 28 mars nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, brenda fushës së çështjes së Afrikës së Jugut për shkelje të supozuar Konventa e Gjenocidit e vitit 1948 "e detyrojnë Izraelin të arrinte një armëpushim".

Tel Avivi duhet, “në bashkëpunim të plotë me OKB-në, të lejojë ofrimin e pandërprerë të të gjithë ndihmës bazë humanitare për palestinezët në Rripin e Gazës, duke përfshirë furnizimet mjekësore dhe shërbimet shëndetësore që u nevojiten”, thonë nga ministria.

"Türkiye ka vendosur të kufizojë eksportin e produkteve në Izrael sipas grupeve të produkteve të specifikuara në aneks, si hap i parë, që nga 9 prilli 2024. Kërkesat e këtij vendimi do të zbatohen menjëherë”, njoftuan nga ministria.

Aneksi renditi disa lloje të produkteve të aluminit dhe çelikut, bojëd, kabllove elektrike, materialeve të ndërtimit, karburantit dhe materiale të tjera.

“Ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Izraeli, brenda kuadrit të detyrimeve të tij që dalin nga e drejta ndërkombëtare, të deklarojë një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe të lejojë një rrjedhë të mjaftueshme dhe të pandërprerë të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës”, tha ministria, duke shtuar. se Türkiye "nuk ka lejuar shitjen e asnjë produkti apo shërbimi që mund të përdoret për qëllime ushtarake ndaj Izraelit" prej një kohe të gjatë.

“Në kuadrin e situatës së rëndë në Rripin e Gazës, thirrja jonë për të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare është që të bëjnë pjesën e tyre për të siguruar që Izraeli të përmbushë detyrimet e tij që dalin nga ligji ndërkombëtar”, përsëriti ministria.

“Si shtet dhe popull i Republikës së Türkiyes, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë dhe të mbështesim Palestinën dhe popullin e saj, siç kemi bërë deri më tani”.

Izraeli ka vrarë më shumë se 33.000 palestinezë që nga një inkursion ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, i cili mori 1.200 jetë.

Pjesa më e madhe e infrastrukturës së Gazës është shkatërruar që atëherë dhe 1,9 milionë banorë të saj janë zhvendosur me forcë, duke i lënë ata në rrezik sëmundjesh dhe urisë.

TRT Balkan / agjencitë