Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij kundërshton dhe shqetësohet për ndalimin e arsimit të lartë për vajzat e reja në Afganistan.
"Ky ndalim nuk është as islamik dhe as humanist. Ne e kundërshtojmë një ndalim të tillë", tha ministri Çavuşoğlu në konferencën e përbashkët për media në Ankara me homologun e tij jemenas, Ahmad Awad bin Mubarak.
Komentet e ministrit Çavuşoğlu erdhën pasi Ministria e Arsimit të Lartë e drejtuar nga talebanët të martën lëshoi një vendim për të ndaluar vajzat e reja nga arsimi universitar deri në një njoftim të mëtejshëm.
Çavuşoğlu tha se ndalimi i Afganistanit për studentet me të vërtetë është "shqetësim serioz" për Türkiyen. Ai u bëri thirrje talebanëve që të kthejnë mbrapsht vendimin e tyre.
"Çfarë dëmi i bën Afganistanit shkollimi i grave dhe cili është përfitimi i këtij ndalimi. Feja jonë, Islami, nuk është kundër arsimimit, përkundrazi e mbështet arsimin. Presim që talebanët të heqin dorë nga ky vendim. Türkiye do të vazhdojë të ofrojë arsim dhe bursa për motrat tona afgane", tha Çavuşoğlu.