Türkiye: Kurtulmus dhe Fidan urojnë për festën e Republikës / Photo: AA

Presidenti i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes, Numan Kurtulmus, ka dërguar një mesazh me rastin e 29 Tetorit, në shënimin e 101-vjetorit të themelimit të Republikës.

“Qëllimi i forcimit të solidaritetit shoqëror, të cilin e forcuam me shpalljen e Republikës, qëndrimi i vendosur kundër imperializmit dhe frymës së pavarësisë, e ndriçojnë edhe sot rrugën tonë”, tha Kurtulmus në mesazh dhe vijoi:

"Populli ynë mund të veprojë i bashkuar dhe solidar dhe ta forcojë rendin shoqëror që ofron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët tanë me parimin e shtetit ligjor të ndërtuar mbi traditën tonë të rrënjosur thellë. Sot, ne ecim fort përpara, me forcën që marrim nga parimet themelore të Republikës, për të ndërtuar një demokraci më të begatë, paqësore dhe më të avancuar në çdo aspekt”.

Kurtulmus shtoi se sot kujtojnë me respekt dhe mirënjohje të madhe themeluesin e Republikës Mustafa Kemal dhe të gjithë dëshmorët dhe gazitët që ia besuan këtë vend popullit turk me çmimin e jetës së tyre.

“E theksoj edhe një herë se nuk do të heqim dorë nga synimi i një Türkiye të fortë dhe të madhe duke iu përmbajtur parimeve dhe vlerave të Republikës së Türkiyes. Gëzuar 29 Tetorin, Ditën e Republikës”.

Ministri i Jashtëm Hakan Fidan u ka dërguar gjithashtu një urim për Ditën e Republikës të gjithë qytetarëve të Türkiyes në mbarë botën.

“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë ta bartim Republikën tonë të trashëguar në skenën botërore me frymën e pavarësisë dhe me vizionin tonë të politikës së jashtme kombëtare. Në këtë ditë të rëndësishme kujtojmë me hir dhe mirënjohje themeluesin e Republikës sonë, Mustafa Kemal Ataturku dhe të gjithë heronjtë e luftës sonë atdhetare”, ka thënë Fidan në rrjetet sociale.

Festa kombëtare Dita e Republikës në Türkiye festohet më 29 tetor për të përkujtuar shpalljen e Republikës së Türkiyes në vitin 1923. Republika u shpall nga udhëheqësi ushtarak Mustafa Kemal Ataturk, i cili më pas u zgjodh nga Asambleja e Madhe Kombëtare e vendit si presidenti i parë i Türkiyes moderne.

Një nga festat më të mëdha kombëtare shënohet nga një sërë ngjarjesh në gjithë vendin, duke përfshirë vendosjen e kurorave në Anitkabir, mauzoleumin e Ataturkut.

TRT Balkan / agjencitë