Në namazin e sabahut (mëngjesit) në të gjitha xhamitë e Türkiyes u bënë lutje për ushtarët turq dhe për palestinezët e rënë dëshmorë. Kreu i Çështjeve Fetare të Türkiyes (Diyanet), Ali Erbaş, drejtoi faljen e namazit të sabahut në xhaminë "Hacı Bayram-ı Veli" në Ankara dhe lexoi pjesë nga Kurani.
Në fjalën e tij pas lutjeve dhe salavateve, Erbaş tha: "Nga këtu po ngre zërin fort se ata që ndihmojnë persekutuesit sikur edhe në mënyrë indirekte, ata do të japin llogari për këtë. Llogarinë e kësaj do ta japin si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër".
"Ushtarët heronj të ushtrisë tonë të lavdishme, janë ata të cilët Zoti u bleu jetën dhe pasurinë në këmbim të xhenetit (parajsës)", tha Erbaş duke iu drejtuar besimtarëve dhe duke uruar mëshirën për dëshmorët.
"Shumë njerëz, jeta e të cilëve u mor në këmbim të xhenetit, tani janë dëshmorë në Gaza. Ndonjëherë përballen me masakra masive. Përballen me gjenocid. Pushtuesit mizorë nuk kanë aspak mëshirë, nuk kanë moral, nuk kanë ligj, nuk kanë humanizëm. Pala përballë janë bërë plotësisht çnjerëzore. Ata me bombat që hedhin nga lart masakrojnë duke i djegur fëmijët e pafajshëm që qëndrojnë nëpër tenda", theksoi Erbaş.
Ai potencoi se ata që ndihmojnë Izraelin po bëjnë haram (një gjë të ndaluar) dhe mëkat të madh. Erbaş më tej shtoi: "Nga këtu po ngre zërin fort se ata që ndihmojnë persekutuesit sikur edhe në mënyrë indirekte, do të japin llogari për këtë. Llogarinë e kësaj do ta japin si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Është e sigurt se në botën tjetër do të japin llogari, por sigurisht që edhe në këtë botë do ta vuajnë dëmin e kësaj. Pra, nëse ka ende nga ata që janë të pandjeshëm ndaj bojkotit duhet të kenë kujdes".
"Bota është e vdekshme. Nga kjo botë ne do të shtegtojmë, do të shkojmë në jetën e përtejme. Askush nuk është i përjetshëm në këtë botë, përveç Allahut. Pasuria, prona, shtëpia, bujtinat, banesat, ari apo paratë tona nuk do të vijnë me ne në botën tjetër, por nëse ne i shpenzojmë ato në rrugën e Allahut ato do të vijnë me ne. Të mos harrojmë, që për këtë arsye të qëndrojmë në krah të të shtypurve", tha ai.
Pasi shtoi se në botë ka njerëz me ndërgjegje që mbajnë protesta me flamuj palestinezë, Erbaş bëri të ditur se "Qëndrimi në anën e të shtypurit, pavarësisht besimit, është detyrë e çdo njeriu përballë persekutuesit".
Pas fjalimit, Erbaş bëri lutje për ushtarët turq dhe për palestinezët e rënë dëshmorë.
Lutjet u bënë në 81 qytete të vendit
Erbaş, dje nga llogaria e tij në rrjete sociale bëri postimin: "Mbështetje për Palestinën, lutje për Gazën" dhe njoftoi se në namazin e sabahut në të gjitha xhamitë e vendit do të mbahen lutje për ushtarët turq dhe për palestinezët që kanë rënë dëshmorë.
Në kuadër të kësaj në të gjitha xhamitë në 81 qytetet e vendit u bënë lutje në namazin e sabahut.