Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Türkiyes (KSK) deklaroi të enjten në mbrëmje mbështetjen e tyre për integritetin territorial të Sirisë dhe shprehën angazhimin për stabilitetin në vend.
I kryesuar nga presidenti turk Recep Tayiyip Erdoğan , KSK-ja në një deklaratë me shkrim, përshkroi qëndrimet e vendit në Siri, Liban dhe Palestinë.
Sipas deklaratës, Türkiye shprehu mbështetjen e saj të fortë për integritetin territorial dhe unitetin e Sirisë, si dhe gatishmërinë e saj për të dhënë çdo kontribut të nevojshëm drejt stabilitetit në vend.
Grupeve terroriste që përpiqen të përfitojnë nga paqëndrueshmëria në Siri dhe që synojnë t'i japin një goditje unitetit të saj nuk do t'u lihet dora e lirë, tha KSK,-ja duke theksuar se të gjitha kërcënimet nga këto grupe ndaj sigurisë kombëtare turke do të eliminohen.
Këshilli gjithashtu vuri në dukje se zhvillimet në Siri demonstruan edhe një herë domosdoshmërinë e marrjes së masave për të mbrojtur jetët, pronat e civilëve dhe imperativin që regjimi të pajtohet me popullin e tij dhe grupet e opozitës për të arritur paqen e qëndrueshme.
Lidhur me armëpushimin në Liban, KSK-ja shpresonte se ai do të ishte i përhershëm, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për t'u dhënë fund masakrave dhe agresionit të shfrenuar të Izraelit.
Këshilli gjithashtu theksoi qëndrimin e vendosur të Türkiyes drejt një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze.