Türkiye: Mbi 230 mijë ndërtesa janë dëmtuar nga tërmetet.     /Foto: AA

Më shumë se 232.000 ndërtesa janë dëmtuar rëndë ose do të shemben menjëherë në rajonet e prekura nga tërmetet shkatërruese më 6 shkurt, njoftoi Ministria e Mjedisit, e Urbanizmit dhe e Ndryshimeve Klimatike të Türkiyes.

"Ne kemi përcaktuar se 232.632 ndërtesa, duke përfshirë 651.416 struktura individuale, janë dëmtuar rëndë ose do të shemben menjëherë për shkak të tërmetit”, tha Murat Kurum, në një takim në provincën juglindore të Malatyas.

Kurum tha se ata inspektuan më shumë se 1,7 milionë ndërtesa që përfshijnë më shumë se 5,7 milionë struktura individuale në provincat e prekura nga tërmeti.

Vlerësimi i dëmeve është përfunduar në provincat Gaziantep, Kahramanmaraş, Adiyaman, Osmaniye dhe Kilis.

"Ne kemi filluar procesin e ndërtimit të shtëpive si pjesë e fushatës më të madhe të ndërtimit të banesave në fatkeqësi në historinë e Republikës së Türkiyes. Do të ndërtojmë gjithsej 66.230 shtëpi dhe 21.549 shtëpi rurale në Malatya”, sqaroi Kurum.

Ai shtoi se pasi autoritetet përcaktojnë një vend të përshtatshëm për ndërtim, në koordinim me ekspertët dhe pushtetin vendor, fillojnë procesin e ndërtimit.

Ndërtimi i 27.849 shtëpive në rajon do të fillojë deri më 9 mars, tha Kurum, duke shtuar se në dy muajt e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i 309.000 banesave në të gjitha krahinat e prekura nga tërmeti.

Më shumë se 46.100 njerëz humbën jetën në tërmetet shkatërruese që goditën Türkiyen jugore më 6 shkurt.

Tërmete me magnitudë 7,7 dhe 7,6 goditën 11 provinca turke më 6 shkurt - Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Elazig, Hatay, Gaziantep, Kahramanmaras, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa. Më shumë se 13,5 milionë njerëz në Türkiye u prekën nga tërmetet shkatërruese, siç ishin shumë në Sirinë veriperëndimore.

TRT Balkan / agjencitë