Türkiye, mjeti detar pa pilot OKHAN kalon testet me sukses / Foto: AA

Mjeti detar pa pilot i emërtuar OKHAN, i zhvilluar në kuadër të industrisë turke të mbrojtjes në Mersin, ka përfunduar me sukses testet e tij.

OKHAN, prodhimi i të cili filloi në 2018 nga "Kayacı Savunma" që ka paraqitur aktivitete në Mersin Teknopark, u projektua për të operuar në kushte të vështira deti.

Në kuadër të projektit të realizuar me Komandën e Rojës Bregdetare, mjeti autonom detar i cili është kontrolluar në kushte dhe kohë të ndryshme në det, kaloi me sukses testet.

OKHAN, është 11,5 metra i gjatë dhe peshon 7 tonë, ndërsa mund të arrijë një shpejtësi prej 27 nyjesh me motorin e tij 390 kuaj fuqi.

Distanca e lundrimit të OKHAN-it mund të arrijë 350 milje detare.

Mjeti i cili ka aftësinë e manovrimit të lartë, mund të kryejë manovra për shmangien e pengesave në mënyrë autonome.

"Përmbush pa asnjë problem detyrat e tij"

Drejtori i Kërkimit dhe i Zhvillimit të "Kayacı Savunma" dhe akademik në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Elektronike pranë Universitetit Mersin, prof. dr. Caner Özdemir tha për Anadolu se OKHAN-i do të përdoret në aktivitetet e kontrollit, zbulimit dhe vëzhgimit në ujërat blu.

Duke deklaruar se mjeti është zhvilluar në kuadër të industrisë turke të mbrojtjes, Özdemir tha se "Falë cilësive të tij të shumta si radari, kamera termike dhe e shikimit të natës, mjeti me mekanizmin e vet të vendimmarrjes përmbush pa asnjë problem detyrat e tij pasi merr mbështetjen e inteligjencës artificiale".

Özdemir vuri në dukje se OKHAN-i do të përdoret fillimisht nga Komanda e Rojës Bregdetare ndërsa shtoi se "OKHAN kaloi me sukses të gjitha testet e kryera nën koordinimin e Presidencës së Industrive të Mbrojtjes. Aktualisht po zhvillohen negociatat përfundimtare për futjen e tij në inventar".

"OKHAN-i ka aftësinë të shndërrohet në një mjet detar i armatosur pa pilot dhe një mjet detar pa pilot kamikaz falë sistemeve që mund të vendosen në të sipas dëshirës. Platformën e mjetit tonë detar ne kemi projektuar dhe prodhuar vetë në Mersin. Edhe softuerin e tij ne e kemi realizuan gjithashtu nën strukturën tonë. Përveç pjesëve elektronike dhe sensorëve, i gjithë sistemi është i brendshëm dhe kombëtar", shpjegoi Özdemir, duke theksuar se mjeti mund të përdoret në funksione të ndryshme.

"OKHAN-i ka potencial të lartë eksporti"

Özdemir deklaroi se për procesin e zhvillimit të mjetit kanë dhënë mbështetje Prefektura, Universiteti Mersin, Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë së Mersinit si dhe Zona e Organizuar Industriale Tarsus e Mersinit.

Duke vënë në dukje se OKHAN-i ka tërhequr vëmendjen në panairet që kanë marrë pjesë si brenda dhe jashtë vendit, Özdemir më tej u shpreh:

"Dronët dhe mjetet detare pa pilot janë produkte të reja në zhvillim në botë. Kërkimi dhe zhvillimi në këto mjete nuk përfundon kurrë, vazhdon vazhdimisht. Për këtë çështje ka një konkurrencë midis vendeve dhe Türkiye ka zënë vendin e saj në këtë garë. Kam besim se sukseset e fituara te dronët do t‘i tregojmë edhe te mjetet detare pa pilot. OKHAN-i është një nga kandidatët më të mëdhenj në këtë fushë. Negociatat tona me vendet jashtë vazhdojnë. Ka pasur kërkesa nga shumë vende, por ne duam të përfundojmë fillimisht procesin e hyrjes në inventarin e Presidencës së Industrive të Mbrojtjes. OKHAN-i ka potencial të lartë eksporti".

AA