Burimet e Ministrisë turke të Mbrojtjes Kombëtare njoftuan se janë nënshkruar kontratat për furnizimin me avionë F-16 nga ShBA-ja dhe se mes delegacioneve vazhdojnë punimet mbi detajet.
Burimet e ministrisë iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve pas një takimi informues javor për shtypin.
Lidhur me situatën e fundit për furnizimin me avionë F-16 nga ShBA-ja, burimet njoftuan: "Kontratat janë nënshkruar, punimet mbi detajet po vazhdojnë përmes bisedimeve mes delegacioneve reciproke. Detajet që do të shfaqen pas vendimeve që do të merren mbi detajet do të ndahen me opinionin publik".
Po ashtu, burimet e ministrisë iu përgjigjën edhe pyetjes lidhur me të ashtuquajturat zgjedhjet lokale që organizata terroriste PKK/PYD/YPG/SDG kishte planifikuar të mbante në veri të Sirisë dhe për të cilat njoftoi se i ka shtyrë.
"Më parë, presidenti ynë (Recep Tayyip Erdoğan) dhe ministri ynë i Mbrojtjes Kombëtare (Yaşar Güler) kishin bërë paralajmërimet e nevojshme që këto zgjedhje të mos mbaheshin. Ne kishim paralajmëruar se këto të ashtuquajtura zgjedhje duhet të anulohen, jo të shtyhen. Këto të ashtuquajtura zgjedhje të cilat dëshirohen të mbahen nga organizata terroriste, janë në kundërshtim me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe integritetin territorial të Sirisë. Ne përsërisim paralajmërimin tonë që këto të anulohen plotësisht dhe jo të shtyhen", deklaruan burimet e ministrisë.