Türkiye nis operacionin antiterror në Siri / Photo: AA

Organizata Kombëtare e Inteligjencës Turke (MIT) goditi magazinat e armëve dhe municioneve të grupit terrorist YPG/PKK si pjesë e operacioneve antiterror në veri të Sirisë, thanë të enjten burime të sigurisë.

MIT-i kreu një operacion në Siri, në jug të kufirit turk, pasi mësoi se sulmi i PKK/YPG-së ndaj Ministrisë së Brendshme në kryeqytetin turk Ankara të dielën e kaluar ishte planifikuar në Siri dhe se terroristët që merrnin pjesë në sulm u infiltruan në Türkiye nga Siria, thanë burimet, të cilët kërkuan të mos përmendet emri.

Gjatë operacionit, u shkatërruan depot e armëve dhe municioneve të PKK/YPG-së, së bashku me njësitë e sulmeve terroriste dhe sabotazhit dhe qendrat e kërkimit dhe zhvillimit.

Operacionet kundër PKK/YPG-së terroriste do të vazhdojnë derisa të arrihen qëllimet e Türkiyes, thonë burimet e sigurisë.

Një kamikaz hodhi veten në erë të dielën përpara ndërtesës së Ministrisë së Brendshme në kryeqytetin e Türkiyes, ndërsa një tjetër terrorist u vra nga forcat e sigurisë në portën e hyrjes. Dy policë kanë pësuar lëndime të lehta nga sulmi.

Që nga viti 2016, Ankaraja ka nisur një trio operacionesh të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Pranvera Paqësore (2019).

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja – e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja – ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega e saj siriane.

AA