Türkiye: Palët në veri të Kosovës të shmangin dhunën.     /Foto: Reuters

Türkiye u ka bërë thirrje të gjitha palëve në veri të Kosovës t’i kthehen dialogut dhe qetësisë.

“Ne po i ndjekim me shqetësim ngjarjet në veri të Kosovës. Këto ngjarje dëmtojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme turke.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin dhunën dhe të mos ndërmarrin veprime që do të përshkallëzojnë tensionet”, thuhet në deklaratë.

“Ne vlerësojmë rolin konstruktiv të Korpusit të Paqes të Kosovës (KFOR) në parandalimin e përshkallëzimit të ngjarjeve”, tha më tej Ministria.

“Ne jemi të pikëlluar kur mësuam se disa ushtarë të KFOR-it u plagosën lehtë në incidente”, shtoi ajo.

“E vetmja mënyrë për të ulur tensionin dhe për të vendosur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon është të arrijmë përparim në procesin e dialogut në vazhdim”, përfundon deklarata.

Dhjetëra ushtarë të NATO-s të lënduar

Të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë (KFOR) u plagosën të hënën në përleshjet me serbët vendas protestues.

“Gjatë përballjes me skajet më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit të KFOR-it italian dhe hungarez u bënë objekt i sulmeve të paprovokuara që shkaktuan plagë të pësuara traumatike me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse”, thuhet në një deklaratë të KFOR-it.

Forcat e NATO-s shtuan se personeli i plagosur aktualisht është nën vëzhgim në një institucion shëndetësor.

Në mesin e ushtarëve të plagosur ishin 11 italianë, njoftoi agjencia e lajmeve ANSA duke cituar burime zyrtare.

Tre shtetas italianë thuhet se janë në një “gjendje të rëndë, por jo kërcënuese për jetën”, tha ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dënoi sulmin ndaj misionit të NATO-s, duke e quajtur atë “absolutisht të papranueshëm dhe të papërgjegjshëm”.

TRT Balkan / agjencitë