Türkiye për 7 ditë "neutralizoi" 45 terroristë të PKK/YPG-së. / Foto: AA Archive

Forcat turke të sigurisë gjatë shtatë ditëve të fundit kanë neutralizuar gjithsej 45 terroristë të PKK/YPG-së në veri të Sirisë dhe të Irakut.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Türkiyes, admirali Zeki Aktürk, në një konferencë për media në Ankara bëri të ditur se me 45 terroristët e neutralizuar gjatë shtatë ditëve të fundit, numri i përgjithshëm i terroristëve të neutralizuar në pjesën veriore të Sirisë dhe të Irakut që nga 1 janari ka arritur në 2.194.

Në fushatën e saj terroriste afër 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

Terroristët e PKK-së shpesh fshihen në Irakun verior për të komplotuar sulme aty pranë në Türkiye, ndërsa në Sirinë veriore terroristët e YPG/PKK-së synojnë të kërcënojnë kufirin turk derisa përpiqen të ngacmojnë dhe sulmojnë sirianët vendas dhe trupat turke që promovojnë stabilitetin në një rajon dikur të dominuar nga grupet terroriste, për shkak të një vakumi të pushtetit në Sirinë e shkatërruar nga lufta.

Aktürk gjithashtu tha se 194 persona, përfshirë dhjetë anëtarë të grupeve terroriste, u kapën në përpjekjet për të kaluar ilegalisht kufirin gjatë javës së kaluar, ndërsa 1.505 të tjerë u penguan të kalojnë.

"Numri i personave të kapur gjatë përpjekjes për të kaluar ilegalisht kufijtë tanë që nga 1 janari i vitit 2024 është rritur në 11.873 dhe numri i personave që u ndaluan të kalojnë kufirin ka arritur në 82.307", tha Aktürk.

Prokurimi i avionëve luftarak ‘Eurofigter Tyuphoon’ dhe ‘F-16’

Lidhur me statusin e prokurimit të avionëve luftarak ‘Eurofigter Tyuphoon’ nga një konsorcium evropian dhe ‘F-16’ nga SHBA-ja, burimet turke të sigurisë thanë se Ankaraja po punon në përputhje me qëllimet e saj për të inkorporuar avionë luftarak modern të teknologjisë së lartë në inventarin e Forcës Ajrore të Türkiyes dhe për të shumëfishuar flotën e saj.

Për prokurimin e avionëve ‘F-16’, thanë burimet, muajt e fundit është nënshkruar një kontratë, është vendosur një afat kohor dhe procesi po ecën sipas planit.

"Për prokurimin e ‘Eurofighter Typhoon’ po punohet në nivel teknik. Këto përpjekje janë duke u bërë për të përshpejtuar procesin dhe asnjë kusht nuk është ngritur gjatë këtyre diskutimeve", theksuan burimet.

Avionët ‘Eurofighter’ prodhohen nga Gjermania, Spanja, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Për të vazhduar përpara një shitje e këtyre avionëve, duhet që të gjitha vendet të bien dakord.


TRT Balkan / agjencitë