Türkiye përkujton Twitterin për përgjegjësitë e tij me rastin e tërmetit / Foto: AA

Türkiye të mërkurën përkujtoi Twitterin për përgjegjësitë e tij lidhur me dezinformatat, raportimet e rrejshme, fushatat e rrejshme të ndihmës, profilet e rrejshme dhe shpërndarjen e informacioneve të pasakta në rrjetin social.

Zv/ministri turk i transportit dhe i infrastrukturës, Omer Fatih Sayan, zhvilloi takim nëpërmjet videolidhjes me dy zyrtarë të Twitterit - John Hughes, shefi global i Politikave Strategjike Publike të Gjeopolitikës dhe të Ekonomisë në Twitter, dhe Ronan Costello, shef i sektorit të Twitterit për çështje të qeverive në Evropë.

Gjatë takimit, zv/ministri theksoi obligimin e Twitterit për të kufizuar dezinformatat, të cilat mund të shkaktojnë panik dhe kaos në shoqëri, sipas burimeve të Anadolu Agency.

U diskutua edhe për bashkëpunim aktiv në parandalimin e dezinformatave në rrjetet sociale, bashkë me obligimet juridike të Twitterit nën ligjin turk.

Takimi u zhvillua dy ditë pasi Drejtori i Komunikimeve, Fahrettin Altun, i bëri thirrje rrjetit social të tregojë “qëndrim të përgjegjshëm” pas tërmetit shkatërrues që goditi rajonin jugor të Türkiyes të hënën.

Më vonë, sipas burimeve anonime, zyrtarët e Twitterit morën përgjegjësi që të bashkëpunojnë më shumë me Türkiyen në luftën kundër dezinformatave.

Zyrtarët e Twitterit, sipas raportimeve, thanë se do të jenë më të ndjeshëm lidhur me hapat që duhet të merren kundër postimeve të cilat shkelin të drejtat personale, prishin rendin publik dhe rrezikojnë sigurinë e jetëve dhe të pronës, në pajtim me Ligjin nr. 5651.

AA