Türkiye vazhdon të punojë për heqjen e pengesave për eksportet e drithit dhe plehrave ruse, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu.
Duke folur për gazetarët pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin turk Ankara, Çavuşoğlu tha se eksporti i plehrave ruse ishte gjithashtu pjesë e marrëveshjes së drithit të Istanbul-it të nënshkruar nga Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina në korrik.
"Pengesat për eksportet e drithit dhe plehrave ruse nuk janë hequr plotësisht. Ne po shqyrtojmë se çfarë hapash duhet të ndërmerren për të përmbushur pritjet e Rusisë dhe po koordinojmë punën (për këtë çështje)", shtoi Çavuşoğlu.
Në lidhje me atë nëse do të nevojitet një marrëveshje tjetër për eksportin e drithit rus, Çavuşoğlu tha se nëse asnjëra nga palët nuk kundërshton, kohëzgjatja e marrëveshjes aktuale do të zgjatet, duke e bërë një marrëveshje shtesë të panevojshme.
"Rusët kanë disa shqetësime se këto kërkesa (për eksportet e drithit rus për të cilat u ra dakord) nuk plotësohen. Tani, diplomacia po punon për të larguar këto dyshime", shtoi ai.
Më 22 korrik, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit në Detin e Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.
Në fund të muajit të kaluar, Rusia njoftoi pezullimin e pjesëmarrjes së saj në marrëveshje për shkak të asaj që pretendonte se ishte një sulm ukrainas në flotën e saj në Detin e Zi.
Türkiye dhe OKB-ja, megjithatë, arritën të bindin Moskën të rivlerësojë vendimin, duke shënuar fundin e një përplasjeje të tensionuar që kërcënoi të përkeqësonte krizën globale të ushqimit.
Vizita nga kryeministri suedez
Në lidhje me synimin e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n, kryediplomati turk tha se takimi i sotëm midis presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit suedez Ulf Kristersson në kryeqytetin turk do të ketë rëndësi të madhe për marrjen e "hapave konkretë".
Stockholmi ka thënë vazhdimisht se do të ndërmarrë hapa në këtë drejtim, vuri në dukje Çavuşoğlu.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por u përballën me kundërshtimin e Türkiye-s, e cila i akuzon ata për mbështetje të grupeve terroriste si PKK.
Dy vendet nordike nënshkruan një memorandum me Türkiye-n në qershor për bashkëpunim në luftën e kësaj të fundit kundër terrorizmit. Ankaraja thotë se do të japë dritën jeshile për pranimin e dy vendeve vetëm nëse adresojnë shqetësimet e saj.
Çavuşoğlu vuri në dukje se në gusht, zyrtarët nga të tre vendet mbajtën mbledhjen e parë të mekanizmit të përbashkët të përhershëm për të mbikëqyrur zbatimin e kësaj marrëveshjeje në Helsinki, ndërsa takimi tjetër do të mbahet në Stockholm.
"Në këtë takim do të diskutohet edhe një herë për memorandumin dhe (palët) do të shqyrtojnë atë që është bërë dhe çfarë nuk është bërë deri më tani", shtoi ai.
"Të dy vendet kanë ndërmarrë disa hapa, por në këtë fazë, është e vështirë të thuhet se ata i kanë përmbushur angazhimet e tyre", theksoi ministri turk.
Normalizimi diplomatik në Lindjen e Mesme
Në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme për normalizimin diplomatik të Türkiye-s me Egjiptin, Çavuşoğlu nënvizoi se përparimi është më i ngadalshëm nga sa kishte shpresuar Ankaraja, duke shtuar se vendi i tij nuk është përgjegjës për këtë.
Ai tha se ndërkohë, takimi i tij i fundit me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah Bin Zayed Al-Nahyan, ka qenë shumë pozitiv.
"Tani, përveç hapave që kemi ndërmarrë në nivel dypalësh, ne po flasim për atë që mund të bëjmë në vendet e treta, përfshirë Afrikën dhe projekte të tjera", tha ai.
Çavuşoğlu komentoi gjithashtu rastin e një guvernatori grek, Apostolos Tzitzikostas, i cili refuzoi të hynte në Türkiye për të marrë pjesë në një ngjarje në provincën e Izmirit, pasi u përball me një vonesë në kufi. Ministri i Jashtëm tha se kjo ishte një çështje teknike, jo politike.
"Për shkak të një problemi teknik është vonuar hyrja e një shtetasi grek në vendin tonë. Pas zgjidhjes së këtij problemi teknik, shtetasi grek është lejuar të hyjë në vendin tonë", shtoi ai.
Gjithashtu, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi "disa zyrtarë turq nuk janë lejuar të hyjnë në Greqi", Çavuşoğlu tha se kjo nuk ka asnjë lidhje me incidentin në Izmir.
"Ne paralajmëruam autoritetet greke për këtë çështje. Nëse ndalimi i hyrjes nga ana e Greqisë ndaj disa prej zyrtarëve tanë vazhdon, ne do të përgjigjemi", shtoi ai.
Lidhur me samitin e fundit të Ligës Arabe, i cili përfundoi pa asnjë rezolutë negative kundër Türkiye-s, ministri Çavuşoğlu tha se ky ishte rezultat i procesit të normalizimit.
Ai tha se Türkiye vlerësoi se vendimet e samitit ishin pozitive për sa i përket zgjidhjes së problemeve midis vendeve arabe, avokimit së bashku për kauzën e përbashkët palestineze dhe rritjes së bashkëpunimit midis Ankarasë dhe vendeve të Ligës Arabe.
8 Nën 2022
Türkiye punon për heqjen e pengesave për eksportin e drithërave nga Rusia
Më 22 korrik, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit në Detin e Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.
AA
Lajme të ngjashme
Artikujt në këtë kategori
Altun: Türkiye dëshiron paqen dhe mbështet integritetin territorial në Siri
Kreu i presidencës së Türkiyes përsëriti gatishmërinë e Presidentit Erdoğan për t'u angazhuar me udhëheqësin e regjimit sirian Assad, duke thënë se dialogu është thelbësor në mes të dhunës në rritje, agresionit dhe zhvendosjeve masive.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore