Türkiye-ShBA, bisedime pozitive për mbrojtjen dhe sigurinë.     Foto: AA

Grupet e mbrojtjes të nivelit të lartë nga Türkiye dhe ShBA-ja u takuan të hënën në kryeqytetin turk Ankara, me pjesëmarrjen e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.

“Në takimin pozitiv dhe konstruktiv u diskutuan çështje të mbrojtjes dhe sigurisë rajonale dhe globale, si dhe mbrojtja bilaterale, stërvitja ushtarake dhe bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes”, tha Ministria turke e Mbrojtjes në një deklaratë për media.

Në njoftim thuhet gjithashtu se takimi i ardhshëm pritet të mbahet në ShBA gjatë vitit të ardhshëm.

Türkiye dhe ShBA-ja kanë intensifikuar takimet për zgjidhjen e problemeve në marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet rajonale.

Në shtator, një delegacion turk vizitoi Washingtonin në formatin e Dialogut të Mekanizmit Stretegjik Türkiye-ShBA.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin e tyre për promovimin e paqes dhe stabilitetit dhe zgjerimin e forcimin e partneritetit në mbrojtje.

Shkëmbimi tregtar 100 miliardë dollarë

Gjatë vizitës së presidentit turk në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fund të shtatorit, Recep Tayyip Erdoğan tha se ShBA-ja dhe Türkiye mund të arrijnë 100 miliardë dollarë shkëmbim tregtar “për një kohë të shkurtër” nëse mbahet momentum aktual.

ShBA-ja është partneri i dytë më i madh i eksportit për Türkiye dhe i katërti për nga importi.

“Shkëmbimi tregtar është rritur për 30% këtë vit dhe tashmë kemi arritur nivelin e 22 miliardë dollarëve”, tha presidenti.

Gjatë vitit 2021, shkëmbimi tregtar ishte 28 miliardë dollarë.

Erdoğan tha gjithashtu se investimet direkte nga ShBA-ja në Türkiye kanë arritur 14.1 miliardë dollarë, ndërsa investimet e kompanive turke në ShBA janë 8.6 miliardë dollarë.

TRT World