Numri i viktimave nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit në Türkiye ka arritur në 48.448, njoftoi Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu. Dhjetëra mijëra të tjerë janë lënduar, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë janë liruar nga spitalet.
Tërmetet shembën ose dëmtuan rëndë mijëra ndërtesa në 11 provincat e prekura.
Türkiye ka strehuar të prekurit nga tërmeti në vendbanime të përkohshme duke ngritur qytete tendash dhe kontejnerësh. Qeveria është zotuar se do të rindërtojë zonat brenda 1 viti, ndërsa aktualisht po vijon procesi i shembjes së ndërtesave të dëmtuara.
Vazhdon ndihma ndërkombëtare
Rreth 100 shtete i kanë dalë krah Türkiyes duke dërguar ndihma ose ekipe kërkim-shpëtimi menjëherë pas tërmeteve të 6 shkurtit.
Së fundmi, Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) njofti se kanë dërguar 217 avionë me ndihma në Türkiye dhe Siri.
Në deklaratën me shkrim në llogarinë e Ministrisë së Mbrojtjes së EBA-së në Twitter thuhet se në kuadër të operacion të ndihmave, i nisur me udhëzimin e presidentit të EBA-së, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, deri tani janë dërguar 7.027 tonë ndihma humanitare me 217 avionë.
Pasgoditjet nuk ndalen
Një tërmet me magnitudë 4,7 ballë goditi sot provincën lindore të Türkiyes, Malatya.
Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave, AFAD, tha se epiqendra e tërmetit u regjistrua në qarkun Puturge në një thellësi prej 10 kilometrash. Tërmeti ndodhi në orën 4:34 të mëngjesit me orën lokale.
Tërmeti i sotëm është një nga mijëra lëkundje që nuk kanë reshtur që nga 6 shkurti, e të cilat llogariten si pasgoditje të dy tërmeteve kryesore më 6 shkurt, të fuqisë 7,8 dhe 7,6 ballë respektivisht.