Türkiye, viktima dhe të zhdukur nga përmbytjet / Foto: AA

Të paktën nëntë persona humbën jetën nga përmbytjet në Şanliurfa të Türkiyes.

Prej ditës së djeshme disa rrugë janë përmbytur për shkak të reshjeve të shiut që kanë qenë të dendura në të gjithë qytetin.

Gjatë punës së kryer nga ekipet e Zjarrfikësve në Sanlıurfa në lagjen Veysel Karani, trupat e pajetë të 5 personave, të cilët mësohet se ishin shtetas sirianë, u gjetën në bodrumin e pallatit Yavuz 12.

Kështu, numri i personave që humbën jetën nga përmbytjet në qytet u rrit në 9.

Në lagje të ndryshme vijojnë përpjekjet për shpëtimin e qytetarëve të bllokuar në qytet.

Një viktimë në Adiyaman

Të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa 4 të tjerë janë zhdukur pasi një shtëpi-kontejner e vendosur në një oborr është përmbysur nga shirat e dendura në rrethin Tut të provincës juglindore të Türkiyes, Adıyaman.

Në rrethin Tut, i cili është një ndër vendet që u prek nga tërmeti me qendër në Kahramanmaraş më 6 shkurt, një përrua vërshoi për shkak të reshjeve të dendura.

Guvernatori i Tokatit, njëherësh koordinator për provincën Adıyaman, Numan Hatipoğlu njoftoi se një kontejner është përmbysur nga uji që ka kapluar rrethin.

Ai njoftoi se një person ka humbur jetën, ndërsa 4 të tjerë janë zhdukur, duke shtuar se vazhdojnë punimet për t'i gjetur të zhdukurit.

Ndërkohë, ekipet e AFAD-it, policisë, xhandarmërisë dhe bashkisë vazhdojnë evakuimin e çadrave ku ka rrezik nga përmbytjet.


AA