Türkiye ka krijuar një nga flotat më të avancuara në botë për eksplorimin dhe prodhimin e gazit natyror dhe naftës, duke përfshirë katër anije shpimi në thellësi të madhe, dy anije kërkimore sizmike dhe disa anije mbështetëse, tha Presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
Me shtatë linja të gazit natyror, dy terminale lundruese LNG dhe 15 pika hyrjeje, Türkiye ka potencialin të bëhet një nga qendrat kryesore të tregtisë së energjisë në botë, tha Erdoğan të premten në një fjalim në Forumin e Energjisë në Istanbul, një aktivitet njëditor në metropolin turk.
Forumi i Energjisë në Istanbul, i organizuar nga Anadolu nën kujdesin e Ministrisë së Energjisë dhe të Burimeve Natyrore, fokusohet në temën “E ardhme e përbashkët, qëllime të përbashkëta,” duke mbledhur liderë globalë të energjisë për të adresuar sfidat e përbashkëta.
Türkiye synon të jetë ndër tre vendet kryesore në energjinë e rinovueshme në Evropë dhe ndër nëntë të parat në botë deri në vitin 2025, shtoi presidenti.
Duke deklaruar se qëllimi i Türkiyes është të arrijë një kapacitet të energjisë bërthamore prej 20.000 megavatësh deri në vitin 2050, Erdoğan tha: “Pasi të jetë plotësisht funksionale, Centrali Bërthamor Akkuyu do të plotësojë 10 për qind të nevojave të Türkiyes për energji elektrike dhe do ta parandalojë lirimin e 35 milionë tonëve dioksid karboni.”
Arritjet në energji
Duke theksuar se kjo javë shënon 1.000 ditët e luftës Rusi-Ukrainë, një ngjarje që detyroi Evropën të rishikojë sigurinë e furnizimit me energji, Erdoğan theksoi rreziqet e varësisë nga burimet e huaja të energjisë.
“Pa i dhënë njerëzimit dhe mjedisit vlerën që meritojnë, ekonomia globale nuk mund të arrijë mirëqenien, siguria e furnizimit me energji nuk mund të sigurohet dhe paqja dhe harmonia nuk mund të vendosen në botë,” deklaroi Erdoğan.
Falë marrëdhënieve të balancuara që ka vendosur me të dyja palët e konfliktit, Türkiye është një nga vendet që e ka menaxhuar më së miri periudhën e vështirë të luftës në vazhdim, vijoi ai.
Türkiye ka krijuar një nga flotat më të avancuara në botë për eksplorim dhe prodhim, duke përfshirë katër anije shpimi në thellësi të madhe, dy anije kërkimore sizmike dhe anije mbështetëse, u shpreh Drejtori i Komunikimeve të Türkiyes, Fahrettin Altun, duke cituar Erdoğanin.
Kjo infrastrukturë e fuqishme bëri të mundur zbulimin historik të rezervës më të madhe të gazit natyror të vendit në Detin e Zi katër vjet më parë. Gazi i nxjerrë, i marrë nga një thellësi prej 4.000 metrash nën sipërfaqen e detit, u bë i disponueshëm për qytetarët në vitin 2023, tha Erdogan.
Rritja e prodhimit ditor
Erdogan theksoi gjithashtu planet për të zgjeruar prodhimin me një platformë të re lundruese prodhimi, e cila pritet të rrisë prodhimin ditor në 20 milionë metra kub deri në vitin 2026 – mjaftueshëm për të furnizuar gjysmën e familjeve të Türkiyes.
Përpjekjet e Türkiye-s shtrihen edhe përtej kufijve të saj. Anija sizmike Oruc Reis ka filluar operacionet në tre zona eksplorimi jashtë brigjeve të Somalisë, duke reflektuar ambiciet globale të vendit në eksplorimin e energjisë.
Türkiye po planifikon gjithashtu të fillojë punimet në një nga minierat e arit të Nigerit vitin e ardhshëm, njoftoi Erdoğan, duke shtuar se vendi po eksploron për ar edhe jashtë kufijve.
Në frontin e naftës, Erdoğan përmendi suksesin në Gabar, ku Türkiye arriti zbulimin më të madh të naftës në historinë e saj.
Prodhimi ditor nga rajoni tani tejkalon 57.000 fuçi, ndërsa prodhimi total kombëtar dhe ndërkombëtar kalon 155.000 fuçi në ditë. Me zbulimet e fundit në Sirnak, Hakkari dhe Van, Türkiye vazhdon të rrisë rezervat e saj të energjisë dhe kapacitetin e prodhimit.