Forcat e armatosura turke po zhvillojnë një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të kombinuara dhe të përbashkëta, Efes-2024 dhe në programin e sotëm do të marrin pjesë shumë personalitete, përfshirë presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
Kjo është dita e fundit e stërvitjes, e cila po mbahet në Seferihisar afër Izmirit, ku marrin pjesë rreth 11 mijë ushtarë nga 45 vende.
Midis 45 vendeve pjesëmarrëse janë Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe ndër zyrtarët e lartë që ndjekin stërvitjen janë ministri i Mbrojtjes i Bosnjë Hercegovinës, Zukan Helez, dhe shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, Gojko Knezheviq.
Qëllimi i kësaj stërvitjeje ushtarake është forcimi i kapaciteteve luftarake dhe zhvillimi i aftësive ushtarake të shtabit dhe reparteve të përbashkëta, të formuara me forcat e vendeve pjesëmarrëse.
Stërvitja bazohet në skenarin e Operacionit të Kombeve të Bashkuara për Mbështetjen e Paqes dhe objektivi i aksionit nuk ishte një vend i vetëm.
Mbrëmjen e djeshme është zhvilluar një stërvitje nate me skenar pushtimi nga ajri dhe nga deti.