Türkiye zotohet të eliminojë të gjithë elementët e PKK-së në Irak e Siri   / Foto: AA

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Türkiyes, i mbledhur nën kryesimin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, është zotuar të eliminojë terrorizmin, duke theksuar se "nuk do të lejohet asnjë fakt i dëmshëm për sigurinë kombëtare dhe integritetin territorial të vendeve fqinje".

Këshilli i Sigurimit përcaktoi se "PKK/PYD/YPG-ja, e cila i ka kthyer territoret e uzurpuara në Irak dhe Siri në strehë terroriste dhe mbështetja e ofruar për ta, do të eliminohet së bashku me të gjithë elementët e tyre në rajon", njoftoi pas takimit Drejtoria e Komunikimeve e presidencës turke.

Këshilli theksoi se koordinimi dhe bashkëpunimi me Irakun fqinj do të ngrihet në faza më të avancuara me një zgjerim të bazës kontraktuale midis dy vendeve.

Lufta e Izraelit në Gaza

Këshilli shprehu më tej shqetësimin për mizoritë e vazhdueshme të Izraelit në Gazën e Palestinës, duke dënuar Tel Avivin dhe duke kritikuar mungesën e një reagimi të sinqertë dhe efektiv nga perëndimi.

"Praktikat për të shtypur zërat që ngrihen nga e gjithë bota që bëjnë thirrje për t'u dhënë fund krimeve të Izraelit kundër njerëzimit ekspozuan josinqeritetin e atyre që pretendojnë se mbështesin sundimin e ligjit, demokracinë dhe lirinë e shprehjes", konstatoi Këshilli, sipas Deklarataës së Drejtorisë së Komunikimeve.

"Në anën tjetër, u theksua rëndësia e rritjes së numrit të vendeve që njohin shtetin e Palestinës dhe përpjekjeve për të mbajtur përgjegjësi para drejtësisë autorët e masakrave", thekson Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Türkiyes.

Çështjet rajonale

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Türkiyes gjithashtu shqyrtoi luftën në Ukrainë dhe u vlerësuan mundësitë për vendosjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur.

"U theksua rëndësia e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur sigurinë e lundrimit në Detin e Zi në bashkëpunim me shtetet bregdetare", kumtoi Drejtoria e Komunikimeve.

Këshilli gjithashtu theksoi zhvillimet pozitive në negociatat midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke thënë: "U rikonfirmua mbështetja e Türkiyes për të gjitha përpjekjet e sinqerta që synojnë vendosjen e paqes së përhershme".

TRT Balkan / agjencitë