Udhëtarët e parë hapësinorë të Türkiyes përgatiten për një mision historik.    /Foto: AA

Udhëtarët e parë të mundshëm të Türkiyes në hapësirë, Alper Gezeravci dhe Tuva Cihangir Atasever, kanë treguar më shumë për trajnimin e tyre në ShBA, si dhe projektet e tyre pas programit hapësinor, me njërin nga ta që planifikon të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm hapësinor në vendin e tij.

Muajin e kaluar, gjatë një ngjarjeje të madhe teknologjike, Teknofest, në Istanbul, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan njoftoi se Türkiye ka zgjedhur Gezeravcin dhe Atasever si udhëtarët e parë hapësinorë të vendit, të cilët do të dërgohen në hapësirë në tremujorin e fundit të vitit 2023.

Ministri turk i Industrisë dhe i Teknologjisë Mustafa Varank gjithashtu monitoron nga afër trajnimin e tyre në Qendrën Hapësinore në Hjuston në shtetin e Teksasit.

Gezeravci, një pilot i Forcave Ajrore Turke, tha për Anadolu Agency në qendrën hapësinore se procesi i aplikimit për udhëtim në hapësirë ishte një rastësi.

42-vjeçari tha se mësoi për njoftimin e presidentit turk pasi u kthye nga një fluturim në mesnatë se personi i parë turk do të dërgohet në hapësirë.

“Të nesërmen në mëngjes, pasi pashë sërish pjesë me të njëjtën përmbajtje në lajme, shqyrtova kriteret e detajuara të Agjencisë Turke të Hapësirës në faqen e saj të internetit”. Pasi mendoi se i plotësonte kriteret, Gezeravci tha se kishte vendosur të aplikojë në program.

Ai nuk e ndau lajmin e mirë se ishte përzgjedhur për këtë detyrë me askënd pasi e mori atë nga Zëvendëspresidenti i Këshillit të Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Türkiyes [TUBITAK], Ahmet Yozgatligil, për arsye konfidencialiteti, tha ai.

Gezeravci tha se trajnimi vazhdon në stacione në shtete të ndryshme të ShBA-së.

Të parët në historinë e Türkiyes

Duke theksuar se misioni hapësinor është planifikuar të kryhet në tremujorin e fundit të këtij viti, Gezeravci tha se së shpejti do të ketë një plan të qartë kohor.

“Ne kemi një periudhë gjashtëmujore përpara. Është një proces gjashtëmujor me shumë përmbajtje edukative, kështu që nuk do ta dimë as sa shpejt do të shkojë periudha e trajnimit,” tha ai.

Ai tha se misioni hapëstrinor do të lansohet nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida dhe do të qëndrojë në hapësirë për 14 ditë, me eksperimentet e përzgjedhura nga TUBITAK që do të kryhen gjatë këtij trajnimi.

Duke shprehur emocionin e tij për përzgjedhjen si një nga udhëtarët e parë të mundshëm të Türkiyes në hapësirë, ai tha: “Kjo po ndodh për së pari herë në historinë tonë.”

Duke përshëndetur “fuqinë e vullnetit” të Türkiyes, si një hap që “do të rrisë vetëbesimin e një brezi, ëndrrat e të cilit deri më tani kanë qenë të kufizuara në avionë që fluturojnë në qiell”, ai tha se programi hapësinor “do të çojë pragun e ëndrrave në hapësirë përtej qiellit të dukshëm”.

“Pritja ime është që ky hap i parë që bëjmë do të jetë një hap fillestar në historinë tonë për të cilin do të krenohemi tani e tutje dhe se vendi ynë do të zërë vendin e merituar jo vetëm si pjesëmarrës, por edhe si një zë në projekte më të mëdha hapësinore në periudhën e ardhshme”, shtoi ai.

Tuva Cihangir Atasever, një kandidat rezervë për programin hapësinor turk, i cili punon si inxhinier i sistemit në fushën e sistemeve të lansimit në hapësirë të prodhuesis turk të raketave Roketsan, tha se fillimisht mendoi për udhëtimin në hapësirë në vitin 2014.

“Qëllimi dhe dëshira ime përfundimtare është të shkoj në Hënë”, tha ai. “Ishte një nga hapat racionalë për të qenë pjesë e një misioni që do të kryhej në orbitën e ulët të tokës në udhëtimin drejt Hënës.

Ekosistem hapësinor i qëndrueshëm

Kur Programi Kombëtar i Hapësirës njoftoi se do të zgjidhej një udhëtar turk në hapësirë, “Unë e kisha vendosur tashmë të aplikoja,” tha Atasever, duke shtuar se ai aplikoi menjëherë kur filloi procesi i aplikimit në maj të vitit të kaluar.

“Procesi i aplikimit ishte mjaft i gjatë. Ne kaluam teste jashtëzakonisht intensive, kërkuese dhe faza të eliminimit,” tha ai, duke shtuar se i gjithë procesi zgjati rreth 10 muaj.

Atasever tha se ai mori gjithashtu lajme për zgjedhjen e tij nga Yozgatgil.

“Në fillim, m’u desh pak kohë për të kuptuar plotësisht se çfarë ndodhi në të vërtetë pas bisedës me të.

“Isha shumë i emocionuar, sigurisht, isha shumë krenar. Është gëzim dhe krenari të jesh pjesë e një misioni kaq historik.”

Duke vënë në dukje se ata i ishin nënshtruar kryesisht trajnimit teorik që nga fillimi i programit të tyre në qendrën hapësinore, ai tha, “Aktualisht jemi duke u përpjekur të tretim informacionin teknik, nënsistemet përkatëse dhe materialet teorike të skenarëve të emergjencës së mjetit në të cilin do të lansojmë drejt hapësirës.”

Ai shtoi se trajnimi i tyre praktik do të fillojë në muajt e ardhshëm.

“Ne do të jemi pjesë e një trajnimi shumë më argëtues dhe emocionues në muajt e ardhshëm,” tha ai. “Ne do të udhëtojmë në Gjermani, Japoni dhe Alabama [ShBA] për të bërë trajnim familjarizues në nënsistemet dhe modulet e ndryshme të Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.”

“Ne do të kemi trajnim familjarizues për Modulin Columbus të Agjencisë Hapësinore Evropiane dhe Modulin Kibo të agjencisë hapësinore japoneze. Një udhëtim shumë më emocionues, intensiv, sfidues, por aventuresk na pret,” tha ai.

Atasever tha se dy fluturime me ekuipazh do të kryhen në kuadër të misionit të Udhëtarit Turk në Hapësirë dhe të Misionit Shkencor, duke shtuar se njëri është një mision në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe tjetri në një fluturim suborbital.

Pas misionit të tij në hapësirë, Atasever planifikon të punojë për Türkiyen që të krijojë një ekosistem dhe industri të qëndrueshme hapësinore.

AA