Një javë pas dy tërmeteve vdekjeprurëse që goditën Türkiyen dhe Sirinë më 6 shkurt, rreth 385 milionë dollarë janë mbledhur nga donacionet e Gjirit për viktimat e tërmetit në të dyja vendet.
Tërmetet e fuqishme morën jetën e të paktën 35.000 njerëzve në Türkiye dhe u lënduan më shumë se 81.000 të tjerë, Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe të Emergjencave, AFAD.
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë, me qendër në provincën Kahramanmaraş, u ndien nga 13 milionë njerëz në 10 provinca në Türkiye dhe gjithashtu prekën disa vende të rajonit.
Në Siri, të paktën 3.688 njerëz humbën jetën dhe mbi 14.749 u lënduan në fatkeqësinë e tërmetit.
Arabia Saudite
Qendra e Ndihmës Humanitare dhe Ndihmës së Mbretit Salman nisi një fushatë dhurimi më 8 shkurt për viktimat e tërmetit në Türkiye dhe Siri.
Në këtë fushatë morën pjesë më shumë se 1.545.000 persona, sipas të dhënave të publikuara nga Platforma Sahem e qeverisë saudite, e cila është përgjegjëse për fushatën popullore për lehtësimin e viktimave të tërmetit në të dyja vendet.
Një total prej 344,8 milionë rijalë (89,2 milionë dollarë) janë mbledhur për viktimat e tërmetit si pjesë e fushatës së popullarizuar të donacioneve.
Katari
Katari nisi fushatën “Oun w Sanad” (Mbështetje dhe Ndihmë) më 10 shkurt nga Autoriteti Rregullator për Aktivitetet Bamirëse dhe Korporata Mediatike e Katarit për viktimat e tërmetit në Türkiye dhe Siri.
Fushata mblodhi rreth 168 milionë rijalë të Katarit (46 milionë dollarë) në ditën e saj të parë, duke përfshirë 50 milionë rijalë (14 milionë dollarë) nga Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad el-Thani.
Gjysmëhëna e Kuqe e Katarit ndau gjithashtu 1 milion dollarë nga Fondi i Reagimit ndaj Fatkeqësive për ndihmë urgjente për të prekurit nga tërmetet në të dyja vendet.
Gjysmëhëna e Kuqe e Katarit gjithashtu nisi një fushatë humanitare për të mbledhur donacione me vlerë 10 milionë dollarë për të zgjeruar fushën e ndërhyrjes së ndihmës për viktimat e tërmetit në Türkiye dhe Siri.
Katar Charity tha gjithashtu se do të japë 6 milionë rijalë (1.6 milionë dollarë) në fazën e parë të ndihmës për viktimat e tërmetit në të dyja vendet, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve QNA.
Organizata bamirëse tha gjithashtu se po përgatit një plan me vlerë 21,9 milionë rijalë (5,77 milionë dollarë), i cili përfshin një përgjigje urgjente me vlerë 7,3 milionë rijalë (2 milionë dollarë) dhe projekte të rimëkëmbjes dhe rindërtimit të hershëm me vlerë prej 14,6 milionë rijalë (4 milionë dollarë).
Emiratet e Bashkuara Arabe
Menjëherë pas tërmeteve shkatërruese, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, president i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), urdhëroi sigurimin e 100 milionë dollarëve për ndihmë për të prekurit nga fatkeqësia e tërmetit në Türkiye dhe Siri.
Nënkryetari i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum drejtoi gjithashtu ndihmë urgjente humanitare për popullin sirian, në një vlerë prej 50 milionë dirhemësh (13,6 milionë dollarë).
Më 9 shkurt, Sheikha Fatima bint Mubarak, Presidente e Këshillit Suprem për Mëmësinë dhe Fëmijërinë, urdhëroi sigurimin e 50 milionë dirhemëve (13,6 milionë dollarë) për të mbështetur fushatën “Urat e së mirës” për viktimat e tërmetit në Türkiye dhe Siri.
Fushata filloi zyrtarisht më 11 shkurt dhe është planifikuar të zgjasë dy javë për të mbledhur donacione për të prekurit nga tërmetet.
Më 10 shkurt, el-Ansari Exchange, një kompani udhëheqëse e këmbimit valutor, njoftoi dhurimin e saj prej 3,67 milionë dirhemëve (1 milion dollarë) në mbështetje të përpjekjeve për ndihmë për të prekurit nga fatkeqësia.
Më 11 shkurt, Mubadala Investment Company njoftoi dhurimin e të ardhurave nga biletat për finalen dhe gjysmëfinalen e turneut të tenisit “Mubadala Abu Dhabi Open” për femra, për fushatën “Urat e së mirës”.
Kuvajti
Më 9 shkurt, kabineti i Kuvajtit njoftoi dhurimin prej 30 milionë dollarësh për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të të prekurve nga tërmetet në Türkiye dhe Siri.
Dhe më 11 shkurt, disa ministri në vendin e Gjirit, duke përfshirë Ministrinë e Çështjeve Sociale, nisën një fushatë njëditore donacionesh për të ndihmuar të prekurit nga fatkeqësia.
Fushata mblodhi më shumë se 20,7 milionë dinarë (67,7 milionë dollarë), me pjesëmarrjen e më shumë se 129.000 donatorëve.
Bahrejni
Bahrejni njoftoi nisjen e një fushate kombëtare donacionesh më 9 shkurt për të mbështetur viktimat e tërmetit në Türkiye dhe Siri.
Një ditë më parë, Sheikh Nasser bin Hamad Al Khalifa, Përfaqësuesi i Mbretit për Punët Humanitare dhe Çështjet e Rinisë, lëshoi një ftesë për donacione si pjesë e fushatës.
Nuk ka ende detaje në lidhje me rezultatet e fushatës.
Omani
Më 7 shkurt, Autoriteti i Omanit për Aktivitetet Bamirëse nisi iniciativat për të mbledhur donacione dhe ndihma për viktimat e tërmetit në Türkiye dhe Siri.
Në të njëjtën ditë, Shoqata e Omanit ‘Dar Al Atta’a’ filloi një fushatë për të mbledhur donacione për të ndihmuar viktimat e tërmetit.
Sipas gazetës lokale Al Shabiba, fushata e Shoqatës së Bamirësisë Dar Al Atta’a mblodhi rreth 650.000 dollarë në dy ditët e para të fillimit të saj.
Që nga fatkeqësia e tërmetit, 16 vende arabe njoftuan zyrtarisht nisjen e urave ajrore dhe ofrimin e ndihmave urgjente dhe ndihmës mjekësore për të mbështetur Türkiyen, sipas deklaratave zyrtare.
Vendet janë: Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Libani, Algjeria, Jordania, Bahrejni, Libia, Tunizia, Palestina, Iraku, Mauritania, Sudani dhe Omani.