Vlerësimi i parë i dëmeve në Türkiye, mbi 100 miliardë dollarë / Photo: AA

Mëngjesin e 6 shkurtit, Türkiye u zgjua në trishtim dhe ankth nga një dridhje e fuqishme 7,7 ballëshe në provincën e Kahramanmaraşit. Një tjetër goditje e paprecedentë, e përafërt për nga fuqia me të parën, pasoi vetëm disa orë më vonë, duke thelluar edhe më shumë tragjedinë.

Ndërkohë që 11 provinca u mbuluan nga mjegulla e pluhurit nga ndërtesat e rrënuara, shpejt u bë e qartë se mijëra njerëz do të kenë humbur jetën. Deri sot, u konfirmuan mbi 50 mijë viktima, ndërsa dhjetëra mijë të tjerë janë shtruar në spitalet e vendit.

Në mes të pikëllimit për viktimat nga “tragjedia e shekullit”, Türkiye po mendon edhe për të gjallët. Njëmbëdhjetë provincat në pjesën jugore të vendit ishin shtëpi për mbi 13 milionë banorë. Mbi 2 milionë prej tyre vlerësohet të kenë mbetur pa kulm mbi kokë si pasojë e tërmetit. Shteti u zotua të rindërtojë qytetet e shkatërruara brenda 1 viti, duke siguruar njëkohësisht strehim të përkohshëm për qytetarët e prekur.

Përballja me këtë tragjedi ka edhe koston e saj financiare. Një raport fillestar i Vlerësimit të Rimëkëmbjes dhe Rindërtimit nga Tërmetet në Türkiye ka përllogaritur një kosto prej 103,6 miliardë dollarëve, një shifër që përbën mbi 11% të Bruto Prodhimit Vendor të Türkiyes.

“Asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me këtë lloj tragjedie”, tha të hënën presidenti Erdoğan.

Mbi 66 miliardë dollarë kushton shkatërrimi i ndërtesave

Sipas rezultateve të studimit, 518.009 shtëpi u përcaktuan se janë rrënuar, kërkonin prishje urgjente ose ishin të dëmtuara rëndë. Nga ana tjetër, vlerësohet se rreth 131.507 shtëpi kanë dëmtime mesatare.

Pjesa më e madhe e shtëpive të rrënuara ose të papërdorshme është regjistruar në provincën Hatay, gjithsej 215.255.

Kostoja financiare vetëm e rrënimit të ndërtesave arrin rreth 54,7 miliardë dollarë. Bashkë me shkatërrimet e bizneseve, fermave, mobiljeve brenda shtëpive, heqjen e rrënojave dhe kostos së akomodimit të përkohshëm dhe ushqimit, kjo shifër shkon në 66,2 miliardë dollarë gjithsej.

Tërmeti ngarkoi me kosto mbi 37 miliardë dollarë sektorët e tjerë

Sistemi arsimor dhe kulturor gjithashtu është prekur dukshëm nga tërmeti. Mijëra shkolla, salla sportive, qendra kulturore dhe të ngjashme janë rrënuar ose dëmtuar nga tërmeti. Dëmi në këtë sektor llogaritet 6,7 miliardë dollarë.

Rindërtimi nuk është barra e vetme financiare që e bart Türkiye pas tërmetit. Raporti shpjegon se tërmeti ka shkaktuar kosto financiare për shëndetësinë në vlerën e 5,6 miliardë dollarëve.

10,2 miliardë dollarë vlerësohet kostoja e infrastrukturës dhe shërbimeve komunale. Këtu hyjnë sistemet e ujit, transportit, energjisë, komunikimeve dhe të tjera.

Edhe 14,9 miliardë dollarë janë shpenzime të tjera që janë shkaktuar nga tërmeti. Ato përbëhen nga dëmet në agrokulturë, turizëm, industrinë e prodhimit, minierat dhe të tjera.

E gjithë Türkiye, me të gjitha kapacitetet shtetërore dhe shtetërore u mobilizua për të shëruar bashkërisht plagët nga “tragjedia e shekullit”. Vetëm gjatë fushatës “Türkiye një zemër” për disa orë u grumbulluan mbi 5 miliardë dollarë. Shumë shtete mike të Türkiyes zgjatën dorën e solidaritetit për të ndihmuar popullin turk që ta kapërcejë sa më lehtë këtë tragjedi.

Shteti është zotuar të bëjë të gjitha përpjekjet për të rindërtuar qytetet dhe vendbanimet, edhe më të bukura sesa ishin para 6 shkurtit fatal.

TRT Balkan