Forcat turke të sigurisë "neutralizuan" dy terroristë të PKK-së në provincat juglindore të Sirnakut dhe Diyarbakirit, tha të hënën ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.
Sipas ministrit, të dy terroristët ishin të përfshirë në sulme terroriste që rezultuan në vdekjen e nëntë punonjësve të sigurisë dhe plagosjen e 21 të tjerëve.
Ercan Serhat, i koduar Reis Gulturan, ishte në kategorinë e kuqe të listës së terroristëve të kërkuar të Türkiyes. Ai u kap i gjallë me armën e tij, tha Yerlikaya në X.
Lista e të kërkuarve është e ndarë në pesë kategori të koduara me ngjyra, ku e kuqja është më e kërkuara, e ndjekur nga e kaltra, e gjelbra, e portokallta dhe e hirta.
Serhat planifikoi shtatë sulme terroriste në Sirnak midis 2016 dhe 2022, sipas Yerlikayas.
Terroristi tjetër, Habib Karakoc, ishte në kërkim në kategorinë e hirtë.
I njohur me emrin e koduar Agit Berxwedan, ai ishte i përfshirë në gjashtë sulme terroriste në Diyrbakir dhe provincën lindore të Musit.
Autoritetet turke përdorin termin "neutralizoj" për të nënkuptuar se terroristët në fjalë u dorëzuan, u vranë ose u kapën.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja - e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, ShBA-ja dhe BE-ja ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.