Zelenskyy falënderon Türkiyen dhe Erdoğanin për shkëmbimin e të burgosurve  Foto: AA

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se Türkiye dhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan kanë ndihmuar në shkëmbimin e të burgosurve midis Ukrainës dhe Rusisë dhe se për këtë u janë shumë mirënjohës.

Zelenskyy nëpërmjet internetit mori pjesë në "TRT World Forum 2022" i cili po mbahet në Istanbul me temën "Formësimi i së Ardhmes: Pasiguritë, Realitetet dhe Mundësitë".

Në fjalimin e tij në forum nëpërmjet video-konferencës, Zelenskyy tha se krizën ushqimore e ndiejnë vende të ndryshme dhe se falë diplomacisë kanë arritur me sukses eksportin e ushqimeve nga tri porte të Ukrainës në Detin e Zi.

"Që nga korriku i këtij viti kemi dërguar mbi 13 milionë tonë drithë në 40 vende. Tregu global e ndjeu këtë. Edhe vendet që konsumojnë produktet tona të ushqimit e kanë parë këtë në stabilitetin social. Kjo është fuqia jonë. Me përpjekjet tona të përbashkëta Ukrainë-Türkiye-OKB ne po ndalim kërcënimin e urisë", shtoi më tej Zelenskyy.

Pasi njoftoi se luftimi i krizës ushqimore është një element i formulës së vendit të tij për paqen, Zelenskyy tha se edhe Türkiye ka lidership në këtë çështje.

"Kemi eksportuar mbi 13 milionë nga produktet tona të drithit dhe mund të eksportojmë miliona tonë. Portet tona që i janë bashkuar kësaj iniciative të drithit përdorin vetëm 50 për qind të kapaciteteve. Rusia po ngadalëson në mënyrë të vetëdijshme realizimin e eksportit në fjalë, duke sajuar kontrolle të ndryshme", tha ai.

Presidenti ukrainas bëri të ditur se mbi 80 anije janë në pritje dhe se kjo nënkupton ushqimin e munguar në tryezën e qindra mijëra njerëzve.

"Një shtet u bën shantazh të gjitha vendeve me produktet e tij ushqimore. Teksa dërgojmë një anije, nevojitet një kohë 3-5 javë për ardhjen e kësaj anije. Çdo muaj dërgojmë 2-3 milionë tonë mangët nga drithi i Ukrainës. Rajoni ynë ka kategorikisht potencialin për të zgjidhur këtë problem", potencoi më tej Zelenskyy.

AA