Me hapjen e vendvotimeve në pikat kufitare mëngjesin e sotëm filloi procesi i votimit nga votuesit që banojnë jashtë Türkiyes, për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.
Shtetasit turq që jetojnë jashtë vendit me të drejtë vote do të mund të votojnë në pikat kufitare, ndërsa votimi do të zhvillohet 24 orë në ditë dhe do të përfundojë të dielën e 14 majit në orën 17:00, kur do të mbyllen të gjitha qendrat e rregullta të votimit.
Më 14 maj qytetarët e Türkiyes do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe do të zgjedhin mes katër kandidatëve presidencialë, 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për parlament.
64,11 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje dhe më shumë se 4,9 milionë qytetarë turq do të votojnë për herë të parë.
Presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan, pastaj Muharrem Ince, Kemal Kilicdaroglu dhe Sinan Ogan, sipas renditjes në fletëvotim, janë kandidatët për president të Türkiyes.
Qendrat e votimit të dielën, më 14 maj, do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 17:00 me orën lokale, në 87 rajone.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura edhe jashtë Türkiyes, në 75 shtete dhe 156 përfaqësi të këtij vendi.
Votimi në pikat kufitare ka nisur sot, përderisa nga data 5 deri më 9 maj do të votohet në përfaqësitë diplomatike jashtë Türkiyes, sipas orarit të përcaktuar më parë.
Më shumë se 3,41 milionë qytetarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë.