Qendrat e votimit në gjithë Türkiyen u hapën sot në orën 08:00 me orën lokale dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 17:00 në 87 rajone.
Qytetarët e Türkiyes po votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe do të zgjedhin mes tre kandidatëve presidencialë dhe 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për Parlamentin, i cili ka gjithsej 600 vende.
Të drejtë vote kanë 64,11 milionë njerëz, ndërsa më shumë se 4,9 milionë qytetarë turq votojnë për herë të parë.
Presidenti aktual Recep Tayyip Erdoğan, Kemal Kılıçdaroğlu dhe Sinan Oğan, sipas renditjes në fletëvotim, janë kandidatët për president të Türkiyes. Kandidati i katërt, Muharrem Ince, ditë më parë e tërhoqi kandidaturën.
Presidenti Erdoğan është kandidati i Aleancës Popullore të udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), kreu i së cilës është ai. Kemal Kılıçdaroğlu është kandidati i Aleancës Kombëtare të opozitës, e udhëhequr nga Partia Popullore Republikane (CHP). Sinan Oğan është kandidat i Aleancës ATA, ndërsa Muharrem Ince ishte kandidat i Partisë së tij Atdheu, para se të tërhiqte kandidaturën të enjten (11 maj).
Qendrat e votimit ishin hapur më parë jashtë Türkiyes në 73 shtete dhe 156 përfaqësi të këtij vendi.
Votimi në pikat kufitare filloi më 27 prill, ndërsa në përfaqësitë diplomatike më 5 maj dhe zgjati deri më 9 maj, sipas orarit të përcaktuar më parë.
Siç ka njoftuar Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve i Türkiyes, rezultatet jo të plota do të shpallen në të njëjtën ditë, në orët e para pas mbylljes së qendrave të votimit.