Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë i Türkiye-s (Turqisë), Vahit Kirisci tha se zjarri që shpërtheu në Marmaris, në provincën e Muglas, në masë të madhe është nën kontroll.
Kirisci dhe ministri i Brendshëm Suleyman Soylu po monitorojnë aktivitetet në terren lidhur me shuarjen e zjarrit pyjor në Marmaris.
Në një intervistë për AA, Kirisci theksoi se zjarri ka rënë mbrëmë rreth orës 20:00 dhe se po punohet intensivisht për shuarjen e tij.
Në aksionin për shuarjen e zjarrit në orët e para të mëngjesit janë përfshirë 20 helikopterë dhe 14 avionë, ndërsa në terren janë cisternat dhe makineritë e tjera të shërbimit të Drejtorisë së Pylltarisë, Zyrës për Situata Emergjente (AFAD) dhe institucionet tjera kompetente.
Ai shtoi se me ministrin Soylu është në terren që nga mbrëmja dhe se po ndjekin nga afër ngjarjet.
Kirisci theksoi se ka edhe pak erë, gjë që e vështirëson shuarjen e zjarrit, por se kushtet, përkatësisht lagështia dhe temperatura e ajrit janë më të favorshme në krahasim me vitin e kaluar.
“Shpresojmë që sot të zgjidhet. Mund të jetë herët dhe duhet të flasim me një dozë kujdesi, por mund të themi se zjarri është vënë në masë të madhe nën kontroll. Por, sigurisht, zjarri i ndihmuar nga era mund të përhapet në një zonë tjetër”, paralajmëroi Kirisci.
Ai tha se në Datci ka rënë zjarr në mëngjes, por është shuar. Pas kësaj, një zjarr ka rënë edhe në Fethiye, por edhe atje në masë të madhe është nën kontroll.
Kirisci falënderoi të gjithë ata që po ndihmojnë në shuarjen e zjarrit dhe bëri thirrje që të ndërmerren të gjitha hapat për të parandaluar fatkeqësi të tilla.
Ministri Kirisci ka hedhur poshtë pretendimet në rrjetet sociale se nuk ka mbështetje nga ajri për shuarjen e zjarrit.